
Flamuri kombëtar kuqezi është bërë pjesë e seancës së të premtes, teksa Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur për të dëgjuar raportimin e kryeministrit Hashim Thaçi për takimin e dytë me kryeministrin serb, Daçiç.
Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i kërkoi kryeministrit të Kosovës që të betohej se nuk do të pajtohej që veriu i Kosovës të marrë autonomi.
“Sot, unë këtu me vete kam sjellë një flamur kombëtar, të cilin do ta vendos këtu në foltore, z. kryeministër. Qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betoheni përpara flamurit kombëtar se kurrë nuk do të bëni pazar me një pjesë të territorit të Kosovës, se kurrë nuk do të pajtoheni që veriut të Kosovës t’i jepet autonomi”, deklaroi Konjufca.
Kryeministri Thaçi, gjatë fjalës së tiij në fund të debatit mori flamurin kombëtar dhe tha se betimin e ka bërë që moti dhe se ndihet krenar.
“Unë jam betuar një herë dhe qëndroj shumë krenar pas atij betimi jetësor. Në atë betim timin lidhet vullneti i qytetarëve të Kosovës, prandaj nëse dikujt i ka mbetur merak është çështje e tij. Por dua të theksoj se një luftëtar nuk e lëshon flamurin nga dora ashtu si ti. Prandaj në shenjë të ruajtjes së krenarisë, së dinjitetit dhe flamurit kombëtar unë e marr flamurin. Kjo është edhe në traditën e popullit tonë, por edhe të luftëtarit të lirisë”, deklaroi Thaçi.
Kryeministri Thaçi mori mbështetjen e dy partive të tjera opozitare, LDK-së dhe AAK-së, për vazhdimin e bisedimeve, ndërkohë që gjatë informimit të deputetëve për takimin me Daçiç tha se ndryshimi i kufijve do të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe do të prodhonte konflikte e luftëra në Ballkan.
“Jemi të vetëdijshëm se pretendimi për ndryshimin e kufijve do të hapte Kutinë e Pandorës dhe do të prodhonte sërish konflikte dhe luftëra në Ballkan. Tashmë edhe Bashkimi Evropian edhe më shumë është duke i artikuluar këto çështje dhe duke ja bërë me dije Serbisë se ndarjet do të mbeten gjithmonë ëndrra të parealizueshme”, nënvizoi Thaçi.
Thaçi informoi deputetët se në takimin e dytë me Daçiç është diskutuar çështja e personave të pagjetur, hapja e zyrave ndërlidhëse dhe për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
Për këtë, Thaçi tha se fillimisht do të fillojë të zbatohet gjatë dhjetorit në 4 vendkalime kufitare e në 2 të tjera në një fazë të mëvonshme dhe se roli i EULEX-it në këtë çështje do të jetë në përputhje me mandatin që ka.
Top Channel