
Kosova anëtarësohet në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlera e investimeve në vitet e para pritet të shkojë në dhjetëra miliona euro.
Kryeministri Hashim Thaçi menjëherë ka urdhëruar krijimin e një komiteti ndërministror dhe ndërinstitucional i cili do të kujdeset që bizneset dhe projektet investuese në Kosovë të kenë informata të sakta dhe të qarta për mënyrën e financimit të projekteve nga BERZH.
Lajmi dhe detaje të tjera janë bërë të ditura nga qeveria e Kosovës nëpërmjet një deklarate të kryeministrit Thaçi. Ai e ka quajtur një lajm të shkëlqyer për Kosovën, i cili fillimisht iu transmetua vetë atij nga presidenti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sir Suma Chakrabarti.
“Gati 30 shtete anëtare të kësaj banke nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, prandaj lobimi ynë i gjatë ishte që të fitojmë dy të tretat e votave për Republikën e Kosovës, që edhe ne të jemi anëtarë të kësaj organizate që investon në shumë fusha të rëndësishme për Kosovën”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.
Kryeministri më tej thekson se përfitimet, kryesisht ekonomike, që do të ketë Kosova si anëtare e këtij institucioni do të jenë të mëdha.
“Kjo bankë është investuese e madhe në shtete që përjetojnë tranzicion dhe investon në një gamë të gjerë. Bizneset private, bankat lokale, projektet publiko-private, por edhe komunat kanë të drejtë aplikimi për fonde dhe kredi të favorshme dhe përqindje të ulta interesi”, thuhet në deklaratën e kryeministrit.
Thaçi inkurajon bizneset kosovare që ta shfrytëzojnë anëtarësimin e Kosovës në BERZH për rritjen e bizneseve duke hartuar projekte të mira dhe të qëndrueshme.
Kryeministri kosovar thekson se Kosova është e interesuar të ketë investime në tre fusha me rëndësi nacionale: bujqësi, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe në sektorin e energjetikës, përkatësisht projektet e Termocentralit “Kosova e Re” dhe Hidrocentralit të Zhurit.
Anëtarësimin e përshëndeti edhe presidentja Jahjaga, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit.
Top Channel