Heqja e liçencës, ERE nis proçedurën

16/11/2012 00:00

Me katër vota pro dhe një kundër komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë, votuan për nisjen e proçedurave për heqjen e liçensës së kompanisë CEZ.

Eduard Elezi, drejtor juridik i ERE, tha se jemi përballë një mori shkeljesh të rënda të kushteve të liçencës nga CEZ, pavarësisht se më parë ndaj kësaj kompanie ERE ka aplikuar masën e gjobës.

Zoti Elezi në relacionin e përgatitur renditi një problematikë të gjerë dhe komplekse shkaktuar nga keqmanaxhimi i CEZ.

“Në muajt shtator-tetor CEZ nuk ka importuar asnjë kilovator. E ka ulur importin në zero dhe gjithë kërkesa për energji është përballuar nga rezervat e Drinit. Gjithashtu, nga monitorimet janë konstatuar shkelje të ligjeve. CEZ, në shkelje të ligjeve, nuk ka kryer rregullit pagesat ndaj OST-së”, deklaroi Elezi.

Ndërsa Sokol Ramadani, kreu i ERE-s, u shpreh me tone kritike për këtë situatë të krijuar nga CEZ. “CEZ, apo drejtori i përgjithshëm i saj, na është drejtuar ne dhe ministrit me një kërkesë ku thekson se, nëse nuk bëhet futje e likuiditetit financiar në llogarinë e tyre, do t’i drejtohet ERE-s. Ne nuk jemi një organ inkompetent që të presim që ajo të na dëmtojë”, nënvizoi Ramadani.

Nisja e proçedurës së heqjes së liçencës nënkupton se brënda një muaji kompania CEZ duhet të plotësojë 4 kushte të cilat janë:

1-Rifillimi importit të energjisë elektrike.

2-Dorëzimi bilancit financiar të audituar për vitin 2011.

3-Të mos ndërmarrë ndërprerje kolektive të energjisë elektrike.

4-Të normalizojë bilancet financiare.

KESH: CEZ çoroditi rrjetin

Problematikë në operimin dhe funksionimin tonë

Pas situatës së fundit të krijuar në sektorin energjitik ka reaguar dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare përmes një njoftimi për shtyp.

Kompania publike e prodhimit te energjisë deklaron se, që nga momenti që CEZ hyri si operator i rrjetit të shpërndarjes ka krijuar problematikë në operimin dhe funksionimin e KESH, duke mos përmbushur detyrimin e importit për mbulimin e humbjeve në shpërndarje.

KESH thotë se CEZ është shkatari kryesor i gjendjes së rëndë të krijuar në menaxhimin e rezervës hidrike, duke cënuar sigurinë e furnizimit me energji për qytetarët.

Sipas KESH, borxhi energjitik që CEZ ka ndaj KESH është aktualisht 1 mijë e 458 gigavat, sa gjithë rezerva energjitike që akumulon kaskada e lumit Drin.

Po kështu, sipas KESH, CEZ nuk ka paguar as faturat e energjisë elektrike, të cilat së bashku me detyrimet e tjera kanë arritur mbi 208 milionë euro.

KESH thotë se borxhet e papaguara të CEZ i kanë sjellë vështirësi të mëdha financiare, duke bërë kështu të pamundur funksionimin normal të aktivitetit, duke krijuar vështirësi që nga pagesat më minimale e jetike për kompaninë e deri në mos likuidimin e detyrimeve që KESH ka ndaj të tretëve, përfshirë prodhuesit e vegjël privatë, donatorët dhe detryimet ndaj furnitorëve për importin e energjisë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB