
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer ka deklaruar se pas fillimit të dialogut Prishtinë-Beograd ekziston mundësia e reduktimit të mëtejshëm të trupave të KFOR-it.
Në një intervistë për radion gjermane Deutsche Welle, gjenerali Halbauer ka folur për mungesën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, por ka shprehur shpresën se kjo çështje do të diskutohet në proçesin e bisedimeve.
“Ajo që ka rëndësi tani është që në vazhdim të dialogut politik të diskutohet edhe ky problem. Unë jam përgjegjës për një mjedis të sigurt dhe të qendrueshëm. Unë nuk mbaj përgjegjësi për vendosjen e ligjit dhe rendit. Kjo është detyrë e misionit EULEX në bashkëpunim me policinë kosovare, e pranishme edhe në veri të vendit”, ka thënë gjenerali Halbauer.
Ai ka vlerësuar se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në dialogun Prishtinë-Beograd, ku ka qenë e pranishme edhe shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton, po japin frytet e tyre.
“Fakti që dy kryeministrat, Thaçi dhe Daçiç, javët e kaluara u takuan dy herë, tregon se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare kanë efekt pozitiv. Bisedimet kanë filluar, janë ngritur grupe pune dhe pritet që së shpejti të shihen veprime konkrete”, ka thënë Halbauer.
“Unë shpresoj shumë që politikanët në Beograd dhe Prishtinë të mund të krijojnë raporte të tilla që njerëzit në veri të Kosovës të besojnë në një të ardhme më të mire”, ka shtuar komandanti i KFOR-it.
Top Channel