
Kreu opozitës Edi Rama edhe një herë tjetër nëpërmjet një deklarate për
median, ka ripërsëritur ftesën kryetarit të PD, Sali Berisha përfshi të
gjithë kryetarët e partive parlamentare për te diskutuar gjetjen e një
zgjidhje demokratike të problemit të Qarkut Fier dhe votimin e
menjëhershëm të tre ligjeve te integrimit.
Edi Rama mendon se një tyezë e tillë mund të sjellë konsensusin e nevojshëm në këtë moment kur koha nuk pret.
“Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje sot thotë Rama, duke provuar se Shqipëria jo vetëm i miraton po dhe i zbaton ligjet.
Kryetari i opozitës thekson se është i gatshëm të përmbushë detyrimin e opozitës dhe Kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimit të Qeverisë. Në vijim të kësaj deklarate, Edi Rama rinënvizon edhe njëherë se edhe pse shtete të rëndësishme anëtare të BE-së i konsiderojnë të pamjaftueshme këto tre akte për të miratuar statusin – pikërisht sepse është zbatimi i ligjeve dhe jo thjesht ligjvënia ajo çka kërkohet me të drejtë prej Shqipërisë -, palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit.
Zgjidhja e problemit të Qarkut Fier, sipas kryesocialistit Rama, do të ishte edhe një shembull kuptimplotë i zbatimit të ligjit dhe do ndihmonte që përveç miratimit të tre akteve, qeveria e opozita t’i ofronin BE-së një shprehje të vullnetit të mirë për të miratuar e për të zbatuar ligjet.
Edi Rama e shikon ngërçin e Fierit si një krijesë të politikës dhe mund e duhet ta zgjidhë po vetë politika.
Në këndvështimin e kryetarit të PS,i takon kryetarit të Partisë Demokratike, Kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve.
Wollfarth: Konsensusi, jo i pamundur
Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth shprehu shqetësimin e tij për situatën e krijuar politike në vend, që po reflektohet me mosvotimin në kuvend të tre ligjeve të rëndësishme të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
“Mosvotimi i ligjeve është deri diku zhgënjyes. Vendimet duhet të merren në kohën e duhur”, mësohet të ketë deklaruar Wollfarth.
Ambasadori theksoi se arritja e konsensusit mes palëve duket e vështirë, por jo e pamundur.
Top Channel