Cristiano Ronaldo vazhdon të mos gjejë lumturinë tek Real Madrid dhe është pranë largimit nga ekipi madrilen në fund të këtij sezoni. Ky është lajmi i publikuar nga gazeta sportive spanjolle ‘AS’.
Sulmuesi portugez ndihet i mbështetur nga tifozët dhe trajneri Jose Mourinho, por jo nga klubi. Në një kohë që Barcelona i del gjithnjë në mbrojtje Messit, Cristiano ndihet i vetmuar në Madrid dhe shikon pasivitetin e drejtuesve të lartë madrilenë ndaj sulmeve që i bëhen atij nga skuadrat kundërshtare.
Rasti i fundit ishte ndaj Levantes: në vend që klubi të kërkonte më shumë mbrojtje për Cristianon pas ndërhyrjes së ashpër të David Navarros që e çau në vetull portugezin, klubi lëshoi një komunikatë zyrtare për të mbrojtur imazhin e Pepes për sherrin që ky i fundit nisi me Ballesteros, kapitenin e Levantes.
Gjithashtu Cristiano nuk e kupton se si nuk ishte mes lojtarëve më të mirë të kampionatit spanjoll të sezonit të kaluar edhe pse fitoi titullin me Realin dhe shënoi plot 46 gola. Sipas tij, faji për këtë i shkon klubit që nuk ka ndikuar sa duhet në Federatë.
Top Channel