Kompania CEZ, me anë të një deklarate, sqaron se ndërprerjet e energjisë
po bëhen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe se ajo ka të drejta të
plota ligjore për të shkëputur dhe ndërprerë furnizimin me energji
elektrike të çdo debitori, qoftë person privat apo publik.
“Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë”, thuhet në deklaratë, ku pretendohet se Policia e Shtetit është duke ushtruar presion mbi punonjësit e saj.
CEZ është informuar se Policia e Shtetit ka marrë një urdhër për të shoqëruar cilindo nga punonjësit e kompanise që është duke shkëputur nga rrjeti i shpërndarjes ndërmarrjet e ujësjellësve.
Në deklaratë thuhet se, “CEZ i kërkon policisë të japë sqarime dhe deklarata publike mbi ekzistencën e këtij urdhri, i cili është arbitrar, abuziv dhe në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit”.
“Do të ndiqen të gjitha hapat dhe proçedurat ligjore përkatëse duke denoncuar pranë autoriteteve kompetente çdo punonjës policie për shpërdorim dhe abuzim me detyrën dhe funksionin publik, duke penguar aktivitetin e shoqërisë dhe punonjësit tanë në kryerjen e detyrave të tyre”, thotë deklarata.
CEZ paralajmëron se, nëse veprimet arbitrare, abuzive dhe të jashtëligjshme të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe/ose të mbështetura nga autoritete dhe institucione të tjera publike të shtetit shqiptar, ajo do t’i konsiderojë ato veprime si një formë indirekte dhe e jashtëligjshme shpronësimi, duke qenë se Policia e Shtetit ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme në aktivitetin e shpërndarjes dhe i shkakton një dëm të konsiderueshëm shoqërisë.
Kompania ndërkohë fton autoritetet, përfshirë ERE-n, qeverinë dhe Policinë e Shtetit, të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë, me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë.
Ndërkaq, në një njoftim të dytë gjatë pasdites, kompania ka reaguar edhe ndaj deklaratave të dy zëvendësministrave në lidhje me borxhet e ndërsjellta mes CEZ dhe shtetit shqiptar.
Sipas CEZ, ndryshe nga sa pretendon qeveria, borxhi që institucionet publike kanë ndaj saj është më i lartë se detyrimet që CEZ ka ndaj KESH dhe në total arrin shifrën 23 miliardë lekë.
CEZ thotë se ka ofruar skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të këtyre borxheve. Gjithashtu, kompania pretendon se i ka ofruar qeverisë edhe anullimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, por kjo nuk është arritur.
Fier, pushtohet me forcë nënstacioni
Qindra banorë të komunës Frakull dhe punonjësit e Ujësjellësit me në krye kryekomunarin e Frakullës sulmuan në mesditë nënstacionin e CEZ-it në Kafaraj të Fierit. Dy police roje ne nenstacion u larguan dhe turma u fut ne nenstacion me force duke i kerkuar nje punonjesi te takoje rrjetin.
Protestuesit i kerkuan punonjesit te ritakojë energjine dhe gjate protestes kryekomunari i Frakulles ka kercenuar per pershkallezim te protestave.
Pas disa minutash protestuesit vendosen te ritakoje vete energjine, ata hyne me force duke debuar punonjesit e CEZ. Energjia eshte ritakuar nga vete banoret duke rikthyer energjine ne gjithe zonen dhe ne ujesjelles.
Nenstacioni elektrik i Fierit tashme eshte nen kontrollin e banoreve dhe specialistet e CEZ e kane te pamundur te rimarrin rrjetin nen kontroll, nderkohe qe policia eshte terhequr.
Ujësjellësi i Durrësit padi ndaj CEZ
Ujësjellësi i Durrësit depoziton kallëzim penal ndaj CEZ për ndërprerjen e energjisë. Drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi konfirmoi kallëzimin ndaj CEZ. Sipas Ademit, nga stakimi i energjisë janë djegur 4-5 pompa në nënstacion. Ndërkohë, 5 punonjës të CEZ janë ndaluar nga policia e qytetit bregdetar pasi i stakuan energjinë e ndërmarrjes së ujësjellësit. Sipas informacioneve të fundit, ndalimi i punonjësve është bërë pas padisë së bërë nga ky institucione shtetëror. Ata akuzohen për abuzim me anë të detyrës.
Top Channel