Banorët serbë në veri të Kosovës kanë protestuar të enjten kundër zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, mbi të cilën kanë rënë dakord Prishtina dhe Beogradi.
Sipas mediave kosovare, serbët janë nisur nga pjesa veriore e Mitrovicës, kanë kaluar në Rudarë për të dalë në aksin Zveçan-Leposaviç, për të arritur në pikën kufitare të Jarinjës.
Por këtu kanë qenë trupat e KFOR-it që kanë mbyllur pikën kufitare, me qëllim shmangien e incidenteve. Më pas protestuesit janë shpërndarë.
Gjatë manifestimit, banorët serbë kanë kërkuar gjithashtu lirimin e Sllovolub Joviç, personi që drejtonte ruajtjen e barrikadave dhe që thuhet se është marrë nga forcat e policisë serbe.
“REL” raporton se disa politikanë serbë të Mitrovicës kanë dalë hapur kundër marrëveshjes IBM të arritur në Bruksel, zbatimi i të cilës është marrë në shqyrtim nga vetë Beogradi zyrtar.
Madje, ata kanë paralajmëruar edhe masa radikale kundër kësaj marrëveshjeje, pasi për ta një gjë e tillë është tërësisht e papranueshme.
Top Channel