Lufta e Kosovës do të ishte e fundit për shqiptarët në shekullin e njëzetë, e fundit në një 100 vjeçar ky i mbushur me konflikte vendimtare për kombin tonë.
“Lufta e fundshekullit XX për Kosovën” me penën e Ismet Hajrullahut sjell kontekstin tejet kompleks të zhvillimeve, të cilat i paraprinë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe vetë aktin madhor të daljes së saj në skenë, e që për herë të parë në historinë tonë rezultuan të suksesshme.
“Në librin e tij më të ri, ‘Lufta e fundshekullit të XX për Kosovën’, autori paraqet kontribut konkret për ndriçimin e rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, për rrugëtimin e UÇK-së për t’i dalë zot popullit të vet. Libri paraqet një histori të shkurtër të zhvillimeve më dramatike politike dhe ushtarake, nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës dhe lëvizja atdhetare për çlirimin e saj”, tha Prof. Dr. Agim Zogaj, redaktor i librit.
“Po jetojmë në ditët, në vigjilje të Pavarësisë së Shqipërisë dhe unë jam i bindur se bashkë me ne, bashkë me popullin e sotëm në Kosovë, ecin gjithë shpirtrat e atyre që u sakrifikuan e dhanë për Pavarësinë e Shqipërisë. Ecin bashkë me ne e me popullin, të gjithë ata që sakrifikuan për shkëputjen e Kosovës nga kthetrat e Serbisë” tha Ismet Hajrullahu, autor i librit.
Ndonëse përkufizimi kohor i këtij libri ndërlidhet me periudhën 1989-1999, çështjet e trajtuara ndonjëherë e zhvendosin këtë kufi kohor, duke bërë që ato të trajtohen në një shtrirje edhe më të gjerë, vlerësuan studiuesit.
Top Channel