
Paraditen e së enjtes, ish drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së,
Hashim Thaçi dhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim
Çeku, njëri kryeministër e tjetri ministër për FSK-në, janë të parët që
zyrtarisht filluan procesin e aplikimit për statusin e veteranit të
UÇK-së.
Përmes këtij procesi synohet të bëhet verifikimi i listave të ish ushtarëve që kanë qenë pjesë e UÇK-së, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së. Kryeministri Thaçi, pasi mbushi aplikacionin, nga zyra e shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, ka thënë se ky është fillimi i përkujdesjes institucionale edhe kategorisë së veteranëve të UÇK-së.
Në anën tjetër, i pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodh me ushtarët që kanë qenë pjesë e formacionit ushtarak i njohur si FARK, Thaçi tha se të gjithë ata që kanë pasur emblemën e UÇK-së do ta kenë përkujdesjen institucionale.
“Kosova ka pasur ushtri çlirimtare të Kosovës, ka pasur çlirimtarë. Të gjithë ata që kanë kontribuar do t’i kushtohet kujdes i veçantë, kujdesje institucionale. Ne kemi fituar të bashkuar, të bashkuar do të vazhdojmë të punojmë edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE dhe çdo njeri që ka pasur emblemën e UÇK-së do të ketë përkujdesje të përgjithshme institucionale”, tha Thaçi.
Në anën tjetër, Muharrem Xhemajli, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, shpjegon për Top Channel se çdo kush që prentendon se ka qenë pjestarë i UCK-së duhet të tregojë në aplikacionin e tij se ku ka qenë kohën e angazhimit në UCK, cilat kanë qenë detyrat dhe funksionet e tij, dhe se kush ka qenë eprori i tij. Pastaj eprori do ta bëjë verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit. Xhemajli thotë se deklarimi i pavertete do të përbëjë vepër penale.
Pas përfundimit të regjistrimit të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, pritet të bëhet edhe amandamentimi i ligjit për veteranët, i cili më pas do t’i verifikojë ata dhe do ta përcaktojë se kush mund të përfitojë nga ky proces.
Top Channel