Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar të enjten me një debat për skandalin e pasaportave, ku 1.4 milionë euro nuk i kanë shkuar kompanisë që ka fituar tenderin nga Ministria e Brendshme.
Për këtë çështje, një gjykatës i proçedurës paraprake i ka shqiptuar masën e parapurgimit prej 30 ditësh shtetases gjermane Natalie Veliaj.
Punonjësja e kompanisë së nënkontraktuar është marrë në pyetje nga prokuroria e EULEX-it nën dyshimin se paratë që është dashur t’i jepen kompanisë nuk kanë shkuar në adresën e duhur. Përveç gjermanes, dy personave të tjerë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Kjo temë është ngritur nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili kërkoi sqarime nga ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, duke hedhur dyshime që tenderi për pasaporta biometrike është përcjellë me elementë korruptivë.
“Rasti i 1.4 milionëve të pasaportave e dëshmon qartë se EULEX-i nuk do të jetë zgjidhja e problemit, por një pjesë e rëndësishme e problemit. Kjo, për shkak të politikës së EULEX-it dhe të lidhjeve të tij me politikën e qeverisë, e cila e ka vendosur veten në funksion të negociatave dhe kompromisit me Serbinë. 1.4 milionë euro janë 10% e kontratës prej 14 milionë eurosh, të cilën e ka fituar kompania austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD) për shtypjen e pasaportave të Kosovës. Këto pasaporta na premtoheshin nga qeveria se do të jenë bileta jonë drejt udhëtimit pa viza. Ndërkohë që realiteti po e tregon se këto na paskan qenë bileta e lotarisë që i pasuron zyrtarët e lartë qeveritarë”, deklaroi Ymeri.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka thënë se kontrata ka qenë tërësisht në rregull dhe se me të marrë informatën për këtë rast ai ka marrë të gjitha masat dhe ka kërkuar përgjegjësit.
“Kjo kontratë ka filluar në mënyrën më të mirë, por problemet kanë lindur në momentin që në bazë të ligjeve tona, kësaj kompanie i është dashur një përfaqësues në Kosovë dhe këtë përfaqësues e ka përzgjedhur vetë kompania, për të bërë shërbimet që duhen karshi institucioneve tona. Në momentin që kam marrë informatën se këto mjete nuk kanë shkuar në destinacionin final, kam kërkuar hetim nga institucionet gjyqësore për zbardhjen e këtij rasti. Gjithashtu, kam kërkuar edhe nga shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnac që të zhvillojnë hetimet, në mënyrë që të ketë rezultate”, deklaroi Rexhepi.
Ministri i Brendshëm shtoi më tej se, përderisa po lufton korrupsionin nuk është duke menduar për të dhënë dorëheqjen nga detyra.
Top Channel