Policia e misionit EULEX ka arrestuar të enjten në rajonin e Skënderajt tre persona, të dyshuar si autorë të krimeve të luftës gjatë viteve 98-99.

Lajmin e bën të ditur “REL”, sipas të cilës operacioni i agjentëve të misionit evropian është kryer në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Zëdhënësi i EULEX, Blerim Krasniqi ka konfirmuar arrestimet dhe ka saktësuar se çështja po hetohet nga Prokuroria Speciale.

Ndërsa mediat kosovare kanë raportuar se personat e arrestuar janë Rustem, Hetem dhe Sabit Geci, por informacioni nuk është konfirmuar nga misioni evropian.

Sipas gazetës “Express”, dy nga të arrestuarit, vëllezërit Rustem dhe Hetem Geci janë anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe Ibrahim Shala, shef i zyrës së shtypit në Ministrinë e FSK-së. “Na vjen keq për arrestimin e dy pjesetarëve të FSK-së, por ligji është mbi të gjitha”, ka thënë Shala për “Express”.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës e ka kritikuar ashpër arrestimin e Gecajve, të cilët kanë qenë anëtarë të UÇK-së, duke deklaruar se, “EULEX ende nuk ka hequr dorë nga gjuetia e shtrigave kundër luftëtarëve të UÇK-së”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA