Vetëm një ditë pas vizitës së babait të saj në Milanello, Barbara Berlusconi kishte gjëra më të rëndësishme për të folur se sa situata delikate e Milanit.
Në një prononcim për Agjensinë Italiane të Lajmeve “ANSA”, këshilltarja e 18 herë kampionëve të Italisë i drejtoi një apel Parlamentit Italian, në mënyrë që të aprovojë sa më shpejt ndryshimet në ligjin për stadiumin.
“Vlerësimet për zgjdhjet dhe situatën e Milanit i takojnë vetëm presidentit dhe administratorit të deleguar të klubit. Nga ana tjetër, ndonëse jam e vetëdijshme që Italia në këtë moment ka përparësi të tjera, dua të kujtoj Parlamentin se futbolli nuk është vetëm një biznes që krijon të ardhura, por edhe shumë vende pune”.
Duke vazhduar arsyetimin e saj, e bija e ish-kryeministrit shtoi: “Futbolli është vlerësuar se krijon 8 miliardë euro të ardhura në vit, nga të cilat një miliardë i shkojnë shtetit në formë taksash. Kjo është një shumë që nuk mund të neglizhohet dhe ligji i stadiumeve, synon që ta bëjë këtë biznes edhe më fitimprurës. Pa hyrë në hollësi, jam e shqetësuar për të ardhmen e futbollit italian, që rrezikon të mos mbajë më hapin e më të mëdhave. Ky ligj ka një kosto zero për shtetin, por një vlerë të jashtëzakonshme për sportin italian”.
Top Channel