Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi të gjithë shtetasit amerikanë për protesta të mundshme në të gjithë vendin, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Kjo do të sjellë për pasojë edhe ndërprerje të shërbimeve publike, madje edhe probleme me furnizimin me ujë në të gjithë zonat ku do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
“Shtetasve amerikanë u kujtohet se të gjitha grumbullimet publike dhe protestat kanë mundësi të shndërrohen në konfrontuese dhe të përshkallëzojnë në dhunë”, shkruhet në faqen e internetit të ambasadës.
“Ju duhet të shmangni zonat e protestës dhe të keni kujdes nëse ndodheni pranë një grumbullimi të madh, protestë apo demonstratë. Grumbullimet masive mund të bllokojnë të gjitha arteriet hyrëse kryesore në qytetet ku ndodhin”, vijon më tej njoftimi.
Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron gjithashtu se protestat apo demonstratat në një qytet kanë mundësi të çojnë në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në lokalitete të tjera përreth qytetit apo vendit.
Ambasada e Shteteve te Bashkuara i bën thirrje shtetasve amerikanë të kenë një vigjilencë të lartë dhe të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të përmirësuar sigurinë personale.
Muajt e fundit, shkruhet në faqen online të ambasadës, përshkallëzimi i protestave, përfshirë bllokimin e rrugëve, ka ndodhur në të gjithë vendin si pasojë e ndërprerjes së energjisë.
Top Channel