Projektligji për ndryshime dhe shtesa në ligjin për përgjimin e telekomunikimeve u rikthye në komisionin e sigurisë, por këtë radhë me një nen më pak.
Komisioni i ligjeve dhe i veprimtarive prodhuese, që kaluan këtë ligj me unanimitet, vendosën të heqin nenin që rregullon proçesin e përgjimit nga Prokuroria e Përgjithshme në ato të rretheve.
Relatori Fatos Hoxha mendon se gjithçka duhet t’i lihet në dorë ekskluzive prokurorit të përgjithshëm. Ndërsa në emër të grupit socialist në këtë komision, Arben Isaraj këmbënguli edhe njëherë që të rregullohet në mënyrë urgjente neni për përgjimin paraprak.
Për ta bërë më të qartë edhe për publikun, Isaraj përdori shembullin e përgjimit të deputetit socialist Taulant Balla me një ish-oficer të ushtrisë në një fshat të Librazhdit. Isaraj tha se duhet ndërhyrje urgjente për të mos i dhënë qeverisë të drejtën e një përgjimi politik.
Për deputetin socialist, ky përgjim i parregulluar me ligj dhe në një amulli të plotë prek të gjitha shtresat e shoqërisë dhe është një rrezik për të drejtat dhe liritë themelore të individit.
Top Channel