Andrea Stefani – Me besim të patundur në forcën e gënjeshtrës,
Kryeministri Berisha ka këmbëngulur në ofertën e tij për zgjidhjen e
konfliktit në Qarkun e Fierit, konflikt që shfaqet sot si një nga
pengesat për miratimin e disa “ligjeve kusht” për marrjen nga Shqipëria
të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Por duket se ndërsa thuajse i lutet opozitës për votimin e 3 ligjeve magjike, Berisha nuk e dëshiron fare një gjë të tillë. Sepse nuk do as marrjen e statusit të kandidatit dhe as integrimin e Shqipërisë në Europë. Berishës i qan syri për nga Azia. Ftesa që ai i drejton opozitës bëhet qëllimisht në një formë që mbetet e papranueshme prej saj, një ofertë që dhunon vendimet e gjykatave. Me mosvotimin e 3 ligjeve nga opozita, Berisha synon të lajë duart si Pilati për mosmarrjen e statusit të kandidatit. Ai kërkon të lajë duart, duke ia hedhur fajin opozitës për këtë të keqe që, në fakt, mund të ndodhë kryesisht për faj të vetë Kryeministrit, të qeverisjes së tij autokratike dhe të korruptuar.
***
Nëse vërtet Berisha do të donte zgjidhjen e konfliktit të Fierit, do të vepronte krejt ndryshe. Sepse po bëhet përditë dhe më e qartë se ajo që po konsumohet prej më shumë se një viti në Fier, nuk është gjë tjetër veçse një puç politik i frymëzuar nga Kryeministri dhe zbatuar nga përfaqësuesi i tij në qark, prefekti, si dhe nga disa deputetë të PD. Janë këta që kanë kryer diçka të pashembullt, kanë mbledhur një këshill qarku të dytë, fals, menjëherë pas konstituimit në përputhje me ligjin të Këshillit të Qarkut të Fierit. Pse? Sepse nuk kishin shumicën në këshillin legjitim të qarkut pra, as kryetarin e qarkut. Gjë që nuk i pëlqen Berishës dhe duket se nuk përputhet as me planet e tij për manipulimin e zgjedhjeve në qarkun e rëndësishëm të Fierit në vitin që vjen. Por për fatin e keq të Berishës dhe berishianëve, ata nuk kanë mundur të fitojnë dot betejën në Gjykatën e Fierit. As në Gjykatën e Apelit në Vlorë dhe as në Gjykatën e Lartë. Në të gjitha këto shkallë të gjyqësorit, rikonstituimi puçist i këshillave komunalë, bashkiakë dhe i vetë këshillit të qarkut, është cilësuar i paligjshëm. Të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor shqiptar janë shprehur, me vendime, se mandati i këshilltarit si përfaqësues në Këshillin e Qarkut të Fierit nuk mund të ndryshohet më nga këshillat bashkiakë dhe komunalë. Dhe ç’ndodh pas kësaj? Prefektët e Berishës refuzojnë të zbatojnë vendimet e gjykatave, madje ushtrojnë edhe dhunë për të rrëmbyer zyrën e kryetarit të këshillit të qarkut. Dhe pasi ka qëndruar më shumë se një vit në hije të kësaj përleshjeje mes drejtësisë nga njëra anë dhe dhunës së organizuar puçiste në anën tjetër, vetë ideatori i kësaj dhune, Berisha, i propozon opozitës pikërisht atë gjë që e kundërshtojnë vendimet e gjykatave: të rikonstituojnë këshillat me anë të mocioneve për anëtarët e tyre! Kjo është oferta e Berishës për opozitën. Një ofertë që tenton të legalizojë jo vetëm mekanizmin puçist të rikonstituimit të këshillave, por edhe të bëjë efektive për Kryeministrin trafikimet e mandateve në këshilla komunalë e bashkiakë, të arritura me shantazhe apo blerje mafioze të këshilltarëve. Një ofertë e turpshme që injoron qëllimisht drejtësinë dhe prandaj nuk ka të bëjë fare me drejtësinë dhe shtetin ligjor. Si dhe vetë Kryeministri.
***
Ajo që ka ndodhur në Fier është e patolerueshme! Përfytyroni një vend ku sapo kanë përfunduar zgjedhjet. Partia humbëse është e pakënaqur. Ajo do që qeveria dhe Kryeministri të jenë të vetët. Prandaj deputetët e saj mblidhen në sallën e një godine çfarëdo (këshilli PD-ist i Qarkut të Fierit u mblodh në një hotel) marrin dhe ca njerëz të tjerë çfarëdo dhe i shpallin deputetë për të plotësuar numrin. Dhe kjo pakicë e shndërruar si me magji në shumicë, ky “Parlament” kallp zgjedh një Kryeministër dhe një tjetër qeveri. Imagjinoni që për shkak të korruptimit të gjyqësorit, ky puç mund të gjejë legjitimim edhe në vendimin e ndonjë prej shkallëve të gjyqësorit. Kjo ka ndodhur, pak a shumë, në Fier, ndërsa miqtë tanë të dashur ndërkombëtarë rrinë e vështrojnë si ca yje të largët e të akullt. Madje ambasadori ëollfarth jep edhe porosi që të zgjidhet sa më shpejt konflikti i Fierit. Por nuk thotë si? Në mënyrë berishiste apo sipas vendimeve të gjykatave? Nëse Kryeministri do të donte të nxiste votimin e tre ligjeve (këtu abstragojmë nga vetë përmbajtja e tyre) nga opozita, mjafton që të urdhëronte delfinët e tij, dhe në radhë të parë prefektin, në Qarkun e Fierit të hiqnin dorë nga zhvillim i mëtejshëm i puçit, që të zbatonin vendimet e dhëna nga gjykatat, të njihnin këshillin e ligjshëm të Qarkut të Fierit dhe kryetarin e dalë prej tij. Duke bërë të kundërtën Berisha dëshmon se fshehtazi dëshiron krejt të kundërtën e saj që publikisht pretendon, shpreson mosvotimin e tre ligjeve. Ai po e nxit opozitën të mos votojë tre “ligjet-kusht” në mënyrë që ta fajësojë për mosmarrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria. Berisha kërkon ta bëjë opozitën dorezë që fsheh gjurmët e gishtave të tij, alibi të krimit të tij. Por për shumë shqiptarë dhe joshqiptarë, është e qartë se refuzimi i statusit të kandidatit do të kishte shkaqe shumë më të gjera dhe më të thella se vetëm 3 ligje. Dhe shkaku më i thellë është vetë autokrati Berisha me projektin e tij autokratik që nuk shtyn për nga shteti me pushtete të ndara, për nga shteti me pushtet lokal të decentralizuar, për nga shteti me gjykata të pavarura nga Kryeministri, për nga Europa por që shtyn për nga Azia, për nga Rusia, Turqia apo Kina. Dhe rastësisht i shpëtoi tani së fundi Berishës kur tha se Shqipëria është… Kinë?
Top Channel