Sanksion historik për Chelsea, gjobitet me miliona euro dhe…
“Nëse donit të tregonit se jeni kundër meje, ja keni dalë mbanë”. Kështu ka shpërthyer Allegri në pushimin midis pjesëve të ndeshjes Milan-Fiorentina, sipas prapaskenave të zbuluara nga “Gazzetta dello Sport”.
Pikërisht në fund të ndeshjes, u përhapën zëra në “San Siro” për një vërejtje të ashpër të teknikut kuqezi kundrejt lojtarëve, por sot këto do të ishin fjalët ekzakte të një trajneri, i cili ndihet i tradhëtuar nga grupi.
Faktikisht, kur u mor vesh në mbrëmje për takimin mes Silvio Berlusconi-t dhe Adriano Galliani-t, i cili u mbajt në rrugën Vincento Monti, dukeshin pothuajse zero shanset e një rikonfirmimi të Allegri-t, pikërisht sepse herën e parë, gjatë këtij sezoni të trazuar, skuadra u shfaq sikur e kishte larguar teknikun, me një sjellje gjatë 45 minutave të para surprizuese, duke parë rëndësinë e takimit.
Atëherë, fakti që Silvio Berlusconi vendosi të konfirmonte trajnerin e tij duket tepër i kuptueshëm: mbi të gjitha mungesa e alternativave të vlefshme. Tassotti nuk do të mund t’i jepte goditjen e nevojshme lojtarëve, që u dukën të demotivuar, me përjashtim të disa rasteve në pjesën e parë.
Të gjesh trajnerë jashtë “familjes” nuk do të kishte garantuar, në këtë moment delikat, zgjidhjen e të gjitha problemeve, përveç se do të kishte rënduar bilancin me një tjetër pagë, veç asaj të Allegri-t, i cili ka një kontratë deri në qershor 2014.
Kështu që do të vazhdohet përpara me trajnerin livornez, i cili, sipas informacioneve, do t’i besojë një grupi prej 13-14 lojtarësh, që mund të ofrojnë një rendiment të sigurt në nivelin e zemrës dhe grintës, tepër të rëndësishme për të përballuar Napoli-n, Anderlecht-in, Juventus-in, Catania-n dhe Zenit-in, në 20 ditët e ardhshme.
Ndërkohë, rritet ankthi përpara vizitës së parashikuar të presidentit Berlusconi. Një situatë kaq të vështirë e kishte hasur vetëm pas humbjes me Cesena-n, më 8 janar 1989: shkoi në Milanello për të motivuar lojtarët, që reaguan duke mundur Como-n dhe vetëm pak muaj më vonë, arritën të fitonin Kupën e Kampionëve.
Top Channel