
Kosova, në aspektin ekonomik, ka ndërtuar baza të forta dhe qëndron mirë, në krahasim me fqinjët e vet në Ballkanin Perëndimor.
Kështu ka thënë Jane Armitage, drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore, gjatë një konference për media. Armitage shtoi se, Kosova duhet të vazhdojë me qasjen e matur të menaxhimit të buxhetit, borxhit dhe përmbushjen e obligimeve fiskale.
“Kosova duhet të vazhdojë me qasjen e matur të duhur të menaxhimit të buxhetit, menaxhimit të borxhit dhe përmbushjes së obligimeve fiskale dhe të gjitha këto, për shembull rritja e paqëndrueshme e pagave në sektorin publik dhe çështje të tjera, të cilat mund të minojnë gjendjen dhe menaxhimin e shëndetshëm makroekonomik aktual. Pra, ju e keni edhe programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe këto janë shenja shumë të mira për investitorët e jashtëm dhe brendshëm. Pra FMN po jep aprovimin për kornizën afatmesme të buxhetit”, tha Armitage.
Duke folur për paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Shkup, Armitage u shpreh se duhet të zvogëlohen shpenzimet, në mënyrë që këto projekte të jenë të përballueshme.
“Është shumë me rëndësi që të shihet kostoja dhe nëse këto janë të mundshme në aspektin financiar, që të shmangen tunelet e shtrenjta të gjendet mënyrat e zvogëlimit të kostos, pra duhet të bëhet një rishikim i studimit të fizibilitetit në mënyrë që të zvogëlohen shpenzimet”, shtoi Jane Armitage, drejtoreshë e BB për EJL.
Armitage i bëri këto komente, gjatë vizitës së saj të lamtumirës në Kosovë, ku ka takuar edhe drejtuesit e shtetit të Kosovës.
Në një konferencë për media, ajo ka folur për 5 vitet e saj në këtë detyrë, që në raport me Kosovën përfshijën periudhën, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës; anëtarësimin e Kosovës në Bankës Botërore, e deri më tani.
Armitage, do ta përfundojë punën e saj në dhjetor të këtij viti dhe deri atëherë ajo ka paraparë të zhvillojë vizita nëpër vende të Europës Juglindore, ku ka qenë edhe përqëndrimi kryesor në detyrën e saj.
Top Channel