Biznesi, viktima e taksave online

13/11/2012 00:00

Ndonëse shlyejnë detyrimet tatimore, sipërmarrësit përballen me masa
administrative, shpesh për faj të sistemit kompjuterik. Ka qenë ky
shqetësimi i ngritur nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Nikolin Jakaj gjatë tryezës konsultative me përfaqësues të biznesit, për
strategjinë 2013-2020 për bizneset dhe investimet.

“Shumë biznese penalizohen me gjoba të ndryshme, me detyrime të ndryshme për faj të sistemit kompjuterik gjë që ka krijuar edhe probleme në mbarëvajtjen e sektorit privat”, tha Jakaj.

Bizneset kërkojnë marrëdhënie të besueshme me sistemin doganor, si dhe shkurtimin e procedurave për ndarjen e prurjeve qe sjellin biznese te ndryshme ne grup.

“Sot akoma sipërmarrja private etiketohet sikur cdo mall që fut e ka të dyshimtë apo nuk është në vlerat apo sasitë e kërkuara”, theksoi Jakaj.

I pranishëm në prezantimin e draftstrategjisë, zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo tha se strategjia e re synon rritjen e punësimit, konkurrueshmërisë, shtimin e eksporteve, por edhe invesimeve të huaja direkte pavarësisht krizës që ka përfshirë shumë vende.

“Kjo strategji duhet të trajtojë dhe të japë përgjigje edhe problematikës në të cilën gjithë Eurozona, gjithë vendet e BE-së, ekonomia globale do të ndeshin në vitet në vijim”, tha Bozdo.

Top Channel