Ka mbërritur më në fund në Shqipëri, kopja ekzemplare e atij që cilësohet si libri më i vjetër i botuar në gjuhën shqipe, Mesharit të Gjon Buzukut, i cili daton më 5 janar të vitit 1555.
Është hera e parë që ky botim, që mund të quhet edhe më i rëndësishmi në historinë e gjuhës shqipe, do të ekspozohet në Shqipëri. Publiku do të ketë mundësinë ta shohë atë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, deri në datën 28 nëntor.
“E quaj një ceremoni historike, duke llogaritur që për gati një shekull e gjysmë apo 2 shekuj që shqiptarët e zbuluan këtë monument, ai nuk e ka patur rastin dhe mundësinë të vijë në Shqipëri. Buzuku, të gjithë e dimë, është ndoshta shkrimtari më i studiuar në kulturën shqiptare, megjithatë unë kam dëshirë të ngulmoj dhe të përmend faktin që, edhe studiuesit e tij më të mëdhenj, veç Justin Rrotës, Çabej, Zamputi, Selman Riza nuk kanë patur mundësinë ta kenë nëpër duar dhe të punojnë me të. Kanë punuar vetëm me riprodhimet e tij”, tha Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.
Meshari është huazuar nga Biblioteka Apostullore e Vatikanit, për të përkuar me festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë, dhe do të ekspozohet së bashku me disa prej botimeve më të vjetra në shqip dhe autorëve më të vjetër shqiptarë, si Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Pjetër Budi etj, të përzgjedhura nga fondi special i Bibliotekës Kombëtare.
“E ekspozuar këtu, së bashku me të gjithë këta themelues të gjuhës shqipe, Meshari dëshmoi kombin shqiptar. Në atë periudhë fillon një lëvizje të fuqishme të zgjimit të ndjenjës kombëtare nëpërmjet gjuhës. Ndaj dhe i shprehim mirënjohjen e thellë Selisë së Shenjtë, librarisë së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë”, u shpreh Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.
Kopja e mbetur e Mesharit sot përmban 94 fletë, është mjaft e dëmtuar dhe i mungojnë faqet e para së bashku me titullin. Ka qenë kjo mbase edhe arsyeja, sipas studiuesve, që libri i famshëm u ka shpëtuar inkuizitorëve dhe nuk është zhdukur plotësisht. Të dhënat për të janë gjetur fatmirësisht në pasthënien e veprës. Zbulues i saj është Gjon Kazazi, i cili e gjeti atë në vitin 1740 dhe, bazuar në pasthënien, i vuri edhe titullin që mban dhe sot.
Top Channel