Iu gjetën municion luftarak dhe një kallëp tritol, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari në Vlorë
Kontrata për ndërtimin e rrugës thotë qartë se punimet duhet të mbyllen
brenda afateve, por ritmet e larta të deritanishme paralajmëron një
super-inaugurim si ajo me “Rrugën e kombit”.
Pas Durrës-Kukës, autostrada Tiranë-Elbasan u vendos si prioritetin kryesor të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”, ndaj udhëzimet për të përfunduar para zgjedhjeve për mandatin e tretë, janë të qarta. Aktualisht po punohet me dy turne të ndryshme në 24 orë, sidomos gjatë orëve të natës.
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit thotë se, punimet në autostradën Tiranë-Elbasan po progresojnë me një ritëm që është tërësisht në përputhje me kalendarin e përcaktuar nga ministria, e cila bën të mundur që në fundin e pranverës të vitit të ardhshëm, kjo vepër të hapet për trafikun. Informacionin mbi ecurinë e punimeve e konfirmoi ministri Sokol Olldashi, në një inspektim që u bëri punimeve në kantierin ku po ndërtohet vepra më e rëndësishme e infrastrukturës në vend.
“Punimet në rrugë vazhdojnë me një ritëm shumë të mirë, vazhdon të punohet me dy turne në 24 orë pothuajse në të gjitha frontet e autostradës Tiranë–Elbasan, sigurisht në ato pika që janë më kritike për të arritur kalendarin e punimeve që ne kemi parashikuar, hapjen e rrugës në fundin e pranverës të vitit të ardhshëm)”, tha ministri.
Ministria e Transporteve është optimiste për përfundimin brenda afatit të rrugës, duke pasur parasysh faktin se, veprat e mëdha të artit, që janë edhe pika më kritike e projektit, janë duke ecur sipas programit.
“Pas meje është një ndër veprat më të rëndësishme të kësaj rruge, është ura në dalje të tunelit në drejtim të Elbasanit, një urë e një modeli të veçantë. Për herë të parë ndërtohet një urë e tipit kantilivër në Shqipëri. Është një urë e lartë 60 m, në një terren të vështirë, por që ‘rritet’ me një ritëm shumë të mirë”, shtoi më tej ministri Olldashi. Sipas ecurisë, parashikohet që tuneli të përfundojë tani në muajin nëntor.
Punimet në autostradë vazhdojnë me ritëm të lartë në të tre lotet e rrugës. Në dy segmentet përpara dhe pas tunelit, në drejtim të Tiranës dhe Elbasanit, volumi i punimeve të realizuara ka arritur përkatësisht në 32 dhe 33 për qind, ndërkohë që në tunel po vazhdohet me shtresën e brendshme të betonit, me ritëm prej 50 m ditë, paralelisht me instalimet e sistemeve të ndriçimit.
Top Channel