Gara e fundit e Casey Stoner në Moto GP nuk ishte nga më të bukurat e karrierës së kampionit australian, i cili përfundoi i treti me shumë vështirësi.
“Kjo fundjavë ishte e tmerrshme për mua, ishte zhgënjyese si në pistë të thatë, ashtu edhe në pistë të lagur”, theksoi piloti i Hondës.
“Ishte një garë e vështirë dhe mu duk shumë e gjatë. Isha nervoz dhe preferova ta merrja me qetësi kur kisha gomat e shiut, por fitova besim kur u tha pista”, shtoi Stoner, i cili zhvilloi garën e fundit të tij pasi ka vendosur që në moshën 27-vjeçare të tërhiqet nga garat e Moto GP për t’i kushtuar më shumë kohë familjes.
Edhe lamtumira e australianit ishte e ftohtë, megjithëse gazetarët në sallën e konferencave për shtyp i dhanë një duartrokitje të gjatë: “Nuk ndjeva asnjë emocion të veçantë kur po zhvilloja xhiron e fundit. Mbase në javët në vazhdim mund të ndjej diçka. Gjithsesi, më bëhet qejfi që u ngjita në podium në garën time të fundit.”
Top Channel