Bashkimi Europian deklaron 81 milionë euro investime për programin vjetor 2012 të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) për Shqipërinë.
Sipas komunikatës për shtyp të Komisionit Europian, këto fonde pritet të përdoren për adresimin e prioriteteve kyçe, si reforma në gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në administratën publike.
Një pjesë e tyre do të ndihmojë për përmirësimin e infrastrukturës së transportit në vend, modernizimin e sistemeve të ujit dhe kanalizimeve, si dhe për ngritjen e shërbimeve për përfshirjen sociale.
“Progresi i mëtejshëm do të varet nga kapaciteti i Shqipërisë, për të përforcuar këtë objektiv kombëtar të përbashkët dhe nga rezultatet në reforma”, deklaron në komunikatë komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle.
Për përfitimin e këtyre fondeve, Shqipëria duhet të shtojë 15 milionë euro nga buxheti i shtetit. Fondet pritet të financojnë projekte konkrete, si ndërtimi i një gjykate të re në Tiranë dhe ristrukturimi i dy pikave kufitare.
Paralelisht pritet ngritja e sistemeve më të mira të kontrollit dhe menaxhimit nga autoritetet vendase në nivel lokal e qëndror, për përmirësimin e efikasitetit të inspektimeve financiare.
Në fushën e infrastrukturës fondet pritet të kontribuojnë në ndërtimin e bypass-it të Rrogozhinës dhe për rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza në Vlorë, në ndihmë të industrisë së turizmit.
Për periudhën 2007-2013, Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion 530 milionë euro asistencë ndaj Shqipërisë për projektet e komponentit të parë të IPA-s, siç thuhet në raportin e progresit të publikuar më 10 tetor, ku Komisioni përmendte 86.9 milionë euro ndihmë vetëm për vitin 2012.
Ndërkohë, një tjetër shifër figuron prej kohësh në faqen zyrtare të Komisionit Europian, ku tregohet se për vitin 2012 Shqipërisë i janë akorduar 94.5 milionë euro asistencë financiare, por përfitimi i fondeve të IPA-s në realitet varet nga kapacitetet administrative të vendeve përfituese për projektet e synuara.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel