Ahmetaj: CEZ, favore klienteliste

12/11/2012 18:30

PS ka denoncuar proçesin e mbledhjes së borxheve të këqija nga CEZ Shpërndarje. Sipas deputetit Arben Ahmetaj, CEZ Shpërndarje ka favorizuar disa klientë të cilët, siç theksoi ai, kanë lidhje të ngushta me qeverinë.

“Çfarë nevoje ka që CEZ Shpërndarje të marrë një kompani për të mbledhur borxhin nga një institucion publik? Cila është arsyeja?! Arsyeja është fare e thjeshtë, devijim fondesh. Vazhdojmë sërish me kontrata të tjera të cilat janë drejtpërsëdrejti klientë të qeverisë”, deklaroi Ahmetaj.

“Sali Berisha, që ka thënë dhe thotë se çdo gjë ka qenë transparente, të tregojë nëse i njeh të gjithë këta klientë që nga Albanian Telecomunication Unit, apo kompani të tjera si Astin, Elite Consulting apo Constal, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejta”, vijoi ai.

Në vijim të denoncimit zoti Ahmetaj tregoi një kontratë për të cilën tha se i përket një personi të lidhur me zyrtarë të këshillit mbikqyrës të CEZ.

“Këtu dua t’ju tregoj një kontratë me konflikt të drejtpërdrejtë interesi. Në këtë dokument kemi anëtarë të këshillit mbikëqyrës të CEZ-it, një person me emrin Majlind Lazimi, i cili është sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, METE. Ndërkohë, kjo kontratë është e një njeriu të drejtpërdrejtë të tij, konflikt i drejtpërdrejtë interesi në kurriz të konsumatorëve dhe në kurriz të sistemit elektroenergjitik”, nënvizoi Ahmetaj.

“Në këto kontrata është cënuar transparenca. Kryeministri duhet të tregojë cila është arsyeja që Enti Rregullator dhe qeveria kanë lejuar kontrata me konfidencialitet të sekretit, thënë në këtë kontratë, ku CEZ detyron mbledhësit e borxhit që të ruajnë sekretin ndaj publikut shqiptar, ndaj Entit Rregullator, ndaj qeverisë”, denoncoi deputeti socialist.

Ahmetaj tregoi më tej se CEZ brenda vetes përdor kompani çeke për mbledhjen e borxheve thjeshtë dhe vetëm për të devijuar para nga rryma normale kontabël dhe transparenca ndaj publikut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA