Mes nesh është kriza e shpirtit

10/11/2012 00:00

Aleksander Cipa – Me një ndjesi dhimbjeje për ikjen aksidentale nga jeta
të Denisit 11-vjeçar, dy ditë më parë në spitalin e Tiranës, për arsye
të hipertermisë malinje dhe miratimin e këmbënguljes së mediave për ta
mbajtur në fokus këtë ngjarje, mbeta në një qasje për solidaritetin
njerëzor në vend dhe sidomos për depresionin social dhe atë mendor që
spikat dendur në përditshmërinë tonë njerëzore.

Është një kronikë e pandërprerë rastesh kur nënat, nën peshë të tmerrshme marrëdhëniesh të egra me bashkëshortët, shtojnë denoncimet nëpër gjykatat shqiptare, kur të rinj e të reja kryejnë akte të rënda vetëflijimi, kur policë në detyrë, për shkak të streseve dhe marrëdhënieve të rënduara, vetëmbyten, ku fëmijë të gjendur nën atë tmerrin e dhunës familjare, marrin arratinë apo lënë letra lamtumire si në letërsinë prekëse të shekullit XIX… Pra, një mjedis i plotë ku shumëshfaqet depresioni social dhe mbahet i eklipsuar me politikë fillesa e një depresioni ekonomik dhe financiar. Ky i fundit i shfaqur prej gati dy vjetësh përmes një situate vijueshmërisht shpërthyese te fqinjët tanë. Një depresion ekonomik, që në muajt e këtij dimri të mbërritur mund të plotësohet edhe me efektin e zymtësisë prej errësirës energjetike që është shfaqur me ditë e net në disa zona të vendit dhe në një polemikë dhe deklarata pasuese për përzënien, largimin apo edhe copëzimin e kompanisë së huaj CEZ. Pra, një tablo me probleme që e bëjnë Shqipërinë e këtij fundviti, një vend ku shteti feston natyrshëm 100-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shoqëria po zhytet dukshëm në një kohë të re depresioni.

E megjithatë, patetizmi politik, duket se po e eklipson këtë brendi. Matanë saj, dy partitë pretenduese në rolin e pushtet-ndërrimit, janë zhurmueset më të mëdha për shmangien e syrit të vëmendjes shoqërore nga realiteti depresiv që rëndon dhe shtohet mbi individë të panumërt të kësaj shoqërie. Nuk ka një aksion e aq më tepër, një strategji të besueshme që mund t’i ofrojë vendit terapinë prej këtij vërshimi apo rënieje në realitetin depresiv. Natyrisht, kjo nevojë është duke u shpërfillur së pari prej politikës, pasi për të, pala në qeverisje nuk ka më energji dhe besueshmëri për ta ndalur apo shterojë, ndërsa pala tjetër, matanë konstatimit për qëllim politik, duket se sheh të vështirë një mision të tillë, nëse ecet në këtë realitet ku shteti ka mbërritur në rolin e porositësit të statistikave.

Ndërkombëtarët e kanë ripërsëritur shqetësimin e madh të pandëshkueshmërisë dhe padëgjueshmërisë në këtë vend dhe në realitetin qeverisës, por po kaq herë e kanë rithënë rrezikun e mosveprimit dhe ligj moszbatimit. Por e keqja nuk ka mbetur vetëm kaq. Në realitetin e sotëm social, po triumfon fatalisht realiteti i bashkëjetesës me viktimën që klith e nuk e ndih askush.

Ose edhe më keq, të ngjasë reagimi kur viktima mund të ketë mbërritur në jetën e amëshueme. Mediat publikuan një ditë më parë mbërritjen e vendimit të qeverisë për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve politikë, mes të cilëve edhe dy grevistët që tronditën opinionin publik me aktin vetëzhuritës. Ky vendim i vonuar, mbërrin si akt që zbulon “krimin e vonesës vrasëse”. Nuk vinte dot një muaj më parë? Pse pikërisht tani zbardhet ky vendim kur Lirak Bejko e ngjethi krejt opinionin publik shqiptar me aktin e vetëzhuritjes në kërkim të një të drejte që ishte vonuar së paku burokratikisht? Po për ikjen e tij nga kjo jetë për një vendim apo shkresë zyrtare, kush e mban përgjegjësinë? Si mund të ngjasë kaq lehtësisht në vitin 2012 një vrasje me dijeni e një ish të përndjekuri politik? Për ç’merita nuk përgjegjësohet fajtori, qoftë edhe jopolitik i këtij krimi të gjëmshëm në këtë vend? Nuk ka alibi për përgjegjësinë që e dërgoi Lirak Bejkon në jetën e amëshuar dhe që Gjergj Ndrecën e mban ende në shpërgënjtë e pasflakërimit për ca pare!

Por shpërfillja për depresionin psikologjik të shoqërisë është edhe më alarmante. Në këtë vend ajo ka përmbajtjen dhe forcën negative të një krize shpirti. Është shembur keqazi solidariteti dhe kontrasti i së mirës përballë së keqes. Ecim me lypjen në shtim, krah për krah çdo mëngjes dhe ndihemi si në zakonshmëri. Shkëmbehemi me banesën ku ndodh vetëflijimi i një nëne në moshën 40-vjeçare dhe mjaftohemi me shprehjen kuranore: “Gjynah!”. Ndërkohë që edhe ambulancën e çojmë me vonesë e fatkeqen e lëmë pa një ndihmë të fundme. Përcjellim në ekrane vrasje fëmijësh për gjakmarrje, përdhunime të miturash dhe mjaftohemi me një ndërrim kanali, apo kureshtje vrastare për detajet e akteve dhe mesazhet e shkëmbyera mes përdhunuesit dhe viktimës….Një bastardim i ndjenjës dhe i mirësisë përballë kriminalizimit dhe kriminalitetit në shtim. Kjo tablo, nuk është epiqendër e axhendës së qeverisësve dhe gjithë strukturave të shoqërisë. Fatalisht po pranohet ky realitet si i tillë. Ne po e injorojmë këtë krizë shpirti, pa menduar se me këtë sjellje dhe këtë pranim po rrënojmë secili shpirtin vetjak dhe atë të qelizave të tjera sociale. Kriza e shpirtit, po mjeron realisht mjedisin dhe përditshmërinë e sotme shqiptare.

Ndjek përdaljet e përditshme politike të Kryeministrit dhe zymtësisht edhe më tepër përjetoj vrazhdësinë sociale dhe psikologjike që ka rënë mbi shoqërinë. Një propagandë e padallim që prej 50 vjetësh, pavarësisht se jemi në një kohë sistemi e rendi tjetër politik e shtetëror, ku mungon vetëm merita për krijimin e “njeriut si pre e përhershme e krimit dhe depresionit”.

Ndryshe nga ky vend, përballë nesh dhe me konfirmim të pashembullt miqësie, kontraston modeli i shoqërisë së madhe amerikane. Është fjala për atë vend që betohemi se e duam dhe e çmojmë deri në bindje të verbër, por që e imitojmë vetëm me fjalë. Në krye të kësaj jave që po lëmë pas, Presidenti i rizgjedhur amerikan, Barack Obama në fjalimin e parë pas rizgjedhjes, iu drejtua amerikanëve me fjalinë: “Sonte ju votuat për veprim, jo për politikë si zakonisht. Na zgjodhët që të përqendrohemi në punët tuaja, jo tonat”. Dhe më tej, me të drejtë konstatimin e vet për përparimin real të atdheut me njëqind e ca milionë votues e lidh me arsyen se: “Po përparon sepse ju riafirmuat shpirtin që fiton mbi luftën dhe depresionin…” Dhe është fjala për një President amerikan, që di të lotojë e të qeshë përballë gëzimit të qytetarëve të botës dhe përballë syrit të dhimbur të qytetarëve në dramë. Jo më kot në atë fjalim, Presidenti Obama solli rastin e babait të vajzës 8-vjeçare nga Ohaio: “E pashë edhe atë ditë në Mentor të Ohaios, ku një baba tregoi historinë e vajzës së tij 8-vjeçare, beteja e gjatë e së cilës me leuceminë thuajse u kushtoi familjes së tyre gjithçka kishin po të mos kishte ndodhur miratimi i reformës së sigurimeve shëndetësore pak muaj përpara se kompania e sigurimeve të ndalonte mbulimin financiar të mjekimit të saj. Pata mundësinë jo vetëm të flisja me të atin e saj, por edhe të takoja vajzën e tij të mrekullueshme. Dhe kur ai foli me turmën, të dëgjoje historinë e atij babai, të gjithë prindërit në dhomë u përlotën sepse e dinim që ajo vajzë e vogël mund të kishte qenë vajza e gjithsecilit prej nesh”.

Ky është kontrasti mes një realiteti ku dhimbja e një prindi, shndërrohet në dhembshuri kolosale, sepse zë fill te Presidenti, ndërsa në këtë vendin tonë të vogël, me jo më shumë se një milion e gjysmë votues, dhimbja apo lëndimi prej një vetëzhuritjeje, mund të pasojë vetëm me një shkresë me urdhër të vonuar për likuidimin e së drejtës me ca monedha për familjarët e ish të përndjekurit të kallur në dhe. Në këtë vend depresioni social ka formë dhe përmbajtje të rëndë, por kriza e shpirtit, po merr peshën e një tifoje me pasoja fatale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA