
Nëna dhe dy motrat e 11-vjeçarit Denis Almadhi, që humbi jetën gjatë një operacioni në klinikën e okulistikës në QSUT dy ditë më parë, akuzojnë mjekët për këtë humbje.
Ato shprehen se asnjëherë nuk iu paraqit ndonjë rrezik përpara operacionit dhe se mjekët për disa orë me radhë ua fshehën vdekjen e Denisit.
“Së paku të kishte thënë se 1 për qind që do kishte rrezik, por mjeku foli për 100 për qind sukses”, tregon e motra e viktimës. “Doktori po ashtu të mos e merrte përsipër këtë operacion. Kjo ngjarje na ka shkatërruar”, thotë e ëma.
Pretendimit mjekësor për një kompliklacion të rrallë, të afërmit i përgjigjen në një mënyrë që vjen si rrjedhojë logjike, por jo mjekësore, pasi të njëjtin operacion fëmija e kishte bërë edhe në moshën 6 vjeç.
“Çunin e kam operuar edhe njëherë tjetër. Kur thonë se është e trashëguar, përse kj nuk ndodhi edhe herën e parë? Po ilaçi përse nuk ishte?”, tregon e ëma e vogëlushit.
Çështja është marrë në hetim nga prokuroria e rrethit, pas kallëzimit penal të bërë në polici, por familjarët kanë një akuzë të rëndë, duke u bazuar në atë çfarë u ndodhi për orë me radhë në QSUT me mjekët irlandezë.
Dyshimin që ata donin të transferonin trupin e viktimës për në një ambient tjetër për të fshehur faktin se humbi jetën në sallën e operacionit.
“Ai ka vdekur në sallë. Ata si duket e morën për ta hequr nga salla për të thënë se nuk vdiq aty por tek urgjenca. Për mua, edhe sikur t’i vras ata mjekë, nuk më kthehet djali. Shpirti më ka ikur”, shprehet e ëma e të ndjerit.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo ka reaguar nga Shkodra duke thënë se çështja do të analizohet. “Ne kemi dërguar ekipin tonë për të hetuar këtë rast, ndërkohë që pjesa tjetër i mbetet drejtësisë, pasi familja ka bërë një denoncim në prokurori”, ka thënë Tavo.
QSUT: Fëmija vdiq nga anomalia e lindur
Nëndrejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi, ka sqaruar sot për mediat se 11-vjeçari Denis Alimadhi ka humbur jetën si pasojë e hipertermisë malinje, një anomali e trashëguar.
Numri dy i QSUT-së ka shpjeguar se fëmija ka vdekur gjatë operacionit dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim përpara se t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. “Fakti i anestezisë mund të ketë ndikuar, por nuk është ai kryesor. Mendoj se faktor kryesor janë anomalitë kongjenitale të trashëguara”, ka thënë Boçi.
Shehu:Ndërlikimi i rrallë, nuk është faji i mjekëve
Në emër të Shoqatës së Anestezistëve së Shqipërisë, Tritan Shehu, ka shpjeguar për mediat se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur si pasojë e një ndërlikimi anestezik mjaft të rëndë.
“Jam sot para jush si profesor anestezist i reanimacionit. Në radhë të parë shpreh hidhërimin tim për këtë humbje dhe ti transmetoj familjarëve ngushëllimet e mia. Kemi të bëjmë me një ndërlikim anestezik dhe unë kam marrë kontakte me kolegët e mi që ishin prezent në intervent dhe kemi arritur në një konkluzion paraprak se kemi të bëjmë me një ndërlikim mjaft të rëndë, ndërlikim që është i rrallë dhe njihet me hipertermia malinje. Hipertermia malinje është vështirë të parashikohet se kur ndodh ka një mortalitet të lartë” tha Shehu, i cili ka sqaruar më tej se megjithë masat e marra, komplikacioni u manifestua me një agresivitet të lartë dhe për të tilla raste nuk ka mjekime.
“Nuk ka medikament magjik, baza janë masat reanimatore. Së dyti këtu nuk pret kohë të vijë medikamenti nga Italia apo vend tjetër. Dantroleni nuk ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri, Lidokaina, është specifik dhe është në Shqipëri, por nuk ka siguri 100% që shpëton jetë. Mendoj që të ndjekim deklarata shkencore dhe mos të ecim me hamendje, sepse ju siguroj se ndërhyrja ishte e madhe nga reanimatorët më të mirë, por nuk pati rezultat, temperatura ishte tepër e lartë”, ka përfunduar Shehu.
Vogëlushi Denis Alimadhi ka gjetur vdekjen në një nga sallat e operacionit të spitalit të ORL-së, në QSUT. Ai po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në sy, për shkak të një problemi të lindur që kishte me qepallat. Në momentin që i është injektuar anestezia, vogëlushi ka shfaqur komplikacione, temperatura trupore ka arritur në 43 gradë dhe zemra e tij ka pushuar brenda pak minutash.
Mjekët kanë deklaruar se vdekja e 11-vjeçarit ka ndodhur për shkak të një komplikacioni të lindur, i njohur si hipertermi malinje, një sëmundje kjo tepër e rrallë dhe që shfaqet në momentin që pacienti i nënshtrohet anestezisë.
Nga ana tjetër, familjarët e 11-vjeçarit kanë akuzuar mjekët se e kanë lajmëruar për humbjen e djalit rreth 6 orë më pas, ndërkohë që këmbëngulin se spitali nuk kishte antipiretikun që do të ndihmonte në uljen e temperaturës tepër të lartë të djalit. Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërkohë priten konkluzionet e mjekësisë ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së papritur të vogëlushit.
Gazeta “Shqip”
Top Channel