Rikthehet urrejtja Biaggi-Rossi

09/11/2012 12:40

Ndonëse Max Biaggi shpalli tërheqjen e tij përfundimtare nga garat disa ditë më parë, urrejtja historike midis 41-vjeçarit dhe shtatë herë kampionit në MotoGP, Valentino Rossit, është e destinuar të vazhdojë.

Në një intervistë të dhënë të enjten, Biaggi rikthehet të thumbojë: “Në moshën 41-vjeçare, nuk e besoj se Rossi mund të vazhdojë të fitojë siç bëra unë. Koha do ta tregojë këtë”.

Katër herë kampion në 250 cc dhe në Superbike, Biaggi u pozicionua disa herë i dyti në MotoGP, por pa mundur që të fitonte ndonjëherë.

Megjithatë, Rossi nuk dëshiron të rikthehet në polemikat e ashpra që kanë karakterizuar dyluftimet e tyre të gjata për gati një dekadë, duke e cilësuar Biaggin si “një rival të madh”, nga i cili ka “vetëm shumë kujtime të bukura”.

Tërheqja e Max nga garat u shoqërua me vlerësime të shumë pilotëve të tjerë ndaj 41-vjeçarit. Midis tyre, kampioni i saposhpallur i botës në MotoGP, Jorge Lorenco tha: “E admiroj shumë Biaggin, pasi ai është unik. Është një pilot shumë i veçantë, teknik dhe më fini që kam parë ndonjëherë. Jam shumë i kënaqur që arriti të fitojë Botërorin e Superbike, pasi kjo është tërheqja e lavdishme që ai ka merituar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA