Andrea Stefani – Lenini u shqua për gjenialitetin e zi me të cilin u
jepte kuptimin që donte fjalëve dhe shprehjeve që përdorte në funksion
të qëllimit politik. Parlamentin që nuk e kontrollonte dot e quante
“demokraci borgjeze”, kurse sovjetin që e kishte në dorë, e quante
“demokraci proletare” – shkruan Pol Xhonson në “Kohët Moderne”.
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, sikur ka marrë përsipër që t’ia kalojë Leninit në këtë biçim gjenialiteti duke interpretuar sipas midesë së tij politike jo vetëm fjalët, por edhe situatat. Kur pushtetin nuk e merr dot me votë dhe demokraci, ai u drejtohet gjykatave të kapura prej tij duke “shenjtëruar” vendimet e tyre. Por kur gjykatat nuk marrin vendimet që ai dëshiron, atëherë u kthen shpinën atyre dhe i drejtohet “demokracisë”. Një “gjenialitet” që Berisha po përpiqet ta vërë në zbatim edhe në rastin e konfliktit që ka me opozitën për Këshillin e Qarkut Fier. Dhe të gjithë këtë spërdredhje që nuk njeh asnjë parim, moral a skrupull, përpiqet ta ofrojë si një paketë kompromisi politik!
***
Ajo që ka ndodhur në Qarkun e Fierit është, as më shumë dhe as më pak, por një puç politik, një grabitje e organizuar prej pushtetit qendror e pushtetit lokal të fituar me votë nga opozita. Ka ndodhur në Fier menjëherë pas zgjedhjeve të majit 2011 sipas një skenari të ulët, ku trazohen trafikimi i mandateve të këshilltarëve të majtë, falsifikimet, shantazhet e presionet kriminale, e deri kapja e niveleve të ndryshme të gjyqësorit nga pushteti politik. Shkurtimisht historia e puçit është kjo: Pas fitores së PS-së dhe aleatëve të saj në Fier është mbajtur, sipas ligjit, mbledhja e parë e këshillit të qarkut me anëtarë të zgjedhur në bashkitë dhe komunat e tij. Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, një opozitar. Por kjo nuk i pëlqen Kryeministrit (që bën kushedi ç’llogari të errëta) ndaj ngarkon prefektin e qarkut të organizojë puçin në fjalë. Dhe nën kujdesin e prefektit, si dhe të ndonjë deputeti të PD-së, që i përdor njohuritë në jurisprudencë për t’i ngritur gracka juridike drejtësisë, organizohen mbledhje në disa komuna e bashki të Qarkut Fier dhe, në sajë të blerjeve të këshilltarëve të majtë, presioneve mbi ta, por edhe falsifikimeve, shumicat kalojnë si me magji nga PS-ja në anën e PD-së. Janë pikërisht këto shumica të pjella në inkubatorin puçisto-mafioz të Berishës, që kanë zgjedhur të tjerë anëtarë për në këshillin e qarkut. Dhe është po ky këshill qarku kallp, në përbërjen e të cilit ka edhe persona të pazgjedhur qoftë edhe formalisht nga këshillat në bashki e komuna, që ka caktuar një tjetër kryetar të Qarkut të Fierit, kuptohet një njeri të Berishës. Ky është, me pak fjalë, puçi i Fierit. Një grabitje banditeske e vullnetit të votuesve, një makinë e frikshme mafioze e maskuar me demokraci.
***
Pas këtij masakrimi të pushtetit lokal nga përfaqësues dhe deputetë të pushtetit qendror, këshilltarët e të dyja palëve i janë drejtuar gjykatës. Pushtetarët e PD-së kanë gjetur vetëm në një rast aprovim në Gjykatën e Fierit (është interesante të shikosh si e ka nxjerrë të ligjshëm një puç kjo gjykatë), por ndërkaq kanë humbur përfundimisht në të gjitha rastet e tjera, të ankimuara edhe në apel. Apeli i ka dhënë të drejtë opozitës me vendime të formës së prerë. Por goditjen më të rëndë PD-istët e kanë marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka quajtur si të paligjshme gjithë praktikën e ndjekur nga PD-ja (pra puçin) dhe ka bërë të qartë se ndonëse këshilli i qarkut përbëhet nga anëtarë të dalë prej këshillave bashkiakë e komunalë, me t’u konstituar, ai është institucion më vete, i pavarur dhe nuk mund të rikonstituohet prej institucioneve nga ka dalë. Nuk është aspak çudi (dhe kjo konfirmon se në PD nuk kanë lidhje me shtetin ligjor dhe të së drejtës) që prefekti i qarkut refuzon të zbatojë vendimet e gjykatës. Për shkak të kësaj, puna e pushtetit lokal në Fier ka më shumë se një vit që është minuar dhe qarku ka dy kryetarë dhe dy këshilla, asnjëri prej të cilëve nuk funksionon, sepse pengojnë njëri-tjetrin! Një konflikt që, si për ironi, përngjason disi me dy kokat e flamurit kombëtar për 100-vjetorin e të cilit festojmë këtë muaj.
***
Dhe pasi ka vëzhguar me “pasivitet” produktin e plojës së vet, më në fund Berisha ngrihet e na propozon një kompromis i shtyrë, në dukje, nga nevoja që opozita të miratojë tri ligjet kusht për marrjen e statusit të kandidatit. Dhe shpjegon se nëse Edi Rama dyshon për statusin aktual të Qarkut të Fierit – pikërisht ky arkitekt i fshehtë i puçit të realizuar me falsifikime dhe mashtrime nga njerëzit e tij – thotë se ofron kompromis politik që secili prej anëtarëve të qarkut t’i nënshtrohet mocionit të besimit në këshillat lokalë nga kanë dalë. Dhe puna nuk është se Berisha lë në hije faktin që disa anëtarë të këtyre këshillave janë blerë apo frikësuar me shantazhe e presione të ndryshme. Sepse dihet Berisha e do demokracinë që ta vjedhë dhe sa herë propozon votim ka bërë gati mekanizmin e vjedhjes së votave. Problemi më i madh është se ai lë në “harresë” vendimet e gjykatave që i kanë dhënë të drejtë opozitës dhe kanë hedhur poshtë puçin e realizuar prej tij. Pyesim Kryeministrin: Ku t’i fusim ato dhe çdo të bëhet me shenjtërinë e këtyre vendimeve që dikur propagandoje aq shumë? Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011 ishte Berisha që ngrinte në qiell vendimet e Kolegjit Zgjedhor apo KQZ me anë të të cilave paraqiti të ligjshme grabitjen e votave opozitës. Sot bën të kundërtën, injoron vendimet e gjykatave që nuk i japin të drejtë për Fierin dhe i drejtohet “demokracisë”. Ky është pikërisht gjenialiteti i zi leninist për të cilin po flasim, që karakterizon Berishën dhe që nuk mund të mos të kujtojë një barsoletë që qarkullon prej kohësh: Berisha po udhëton bashkë me Bushin dhe Blerin në një avion që befas pëson defekt. Kush do hidhet i pari për t’i ikur rrezikut. Pas argumentesh të shumta ku secili rreket të provojë pse i takonte të hidhej i pari, Berisha sugjeroi ta zgjidhnin me demokraci, duke thënë: Ta hedhin në votë! Ashtu bënë. Dhe ishte Berisha që fitoi me 40 vota plus. Por ndërsa ai ishte hedhur duke i shpëtuar i pari rrezikut, Bler i thotë Bushit: Po ku i gjeti 40 vota xhanëm?!!
Top Channel