Fitorja në zgjedhje është përgjegjësi; humbja nuk është fundi i botës

09/11/2012 00:00

Mustafa Nano – Pardje në mëngjes, me t’u zgjuar, pashë se në celular më
kishte mbërritur një sms nga një mik që ishte ngritur para meje, e që më
jepte lajmin se Barack Obama kish fituar dhe më ftonte të ndiqja
fjalimin e tij pas fitores. “Fjalim i shkëlqyer”, thoshte miku im në atë
sms.

Dhe unë atë bëra. Hapa televizorin te CNN-i, e po ndiqja raportimet e komentet e gazetarëve amerikanë në pritje të momentit, kur do të jepeshin copëza nga fjalimi i Presidentit të saporizgjedhur (CNN-i e bënte shpesh atë mëngjes me synimin për të përmbushur interesin e atyre që, si puna ime, sapo ishin vënë para ekranit).

Por gjëja e parë që më qëlloi të shihja ishte fjalimi i Mitt Romney-it përballë mbështetësve të vet, të cilët dukej qartazi që ishin të pikëlluar. Kandidati republikan ishte, gjithashtu, i pikëlluar, gjë që i lexohej pa asnjë mundim në fytyrë, pavarësisht nga përpjekja e tij, jo për ta fshehur (nuk mund të fshihet dëshpërimi në të tilla rrethana), por për ta nënvizuar me elegancë. Dhe s’do mend që do të ish i dëshpëruar. Sapo kish dalë i humbur, i mundur, nga një garë. Dhe nuk është një garë dosido. Është gara më e madhe politike, ku në kandar është froni i Presidentit të SHBA-së, përgjegjësisë më të madhe që mund të ushtrohet nga një njeri mbi faqe të dheut. Është shoë më gjigant i demokracisë, i ndjekur nga miliarda njerëz.

Pak fraza dëgjova me atë rast. Dëgjova fillimin, ku ai pas disa “faleminderit”, tha se “sapo i telefonova Presidentit Obama, dhe e urova atë për fitoren; edhe mbështetësit e tij e meritojnë një urim”, dhe më pas ishte fraza që ka bërë më së shumti përshtypje: “Dua që, tok me Anën, t’ju bashkohem juve e të lutemi që Presidenti të ketë sukses në drejtimin e këtij kombi të madh”.

Pak më pas, u futa online për të lexuar fjalimet e plota. Dhe nuk kërkova fjalimin e Obamë-s të parin. Kërkova të Romney-t. Ish i shkurtër, dhe tek-tuk me fraza e qëndrime cliché (falënderoi gruan, Paul Ryan-in, mbështetësit, bëri apel për një klimë konstruktive, u dha munxët sherreve me logjikë partizane etj.) e megjithatë, në rreshta e midis rreshtave, lexoheshin skrupuj fantastikë dhe një si rimotivim prej humbjes, që ta sillnin Romney-in përpara syve si një burrë të madh shteti. “Unë garova, sepse jam i shqetësuar për Amerikën. Këto zgjedhje u mbyllën, por parimet tona u forcuan. Nuk e keni idenë se sa shumë doja që të kisha mundësinë të përmbushja shpresat e pritmëritë tuaja duke e udhëhequr këtë vend në një drejtim të ndryshëm nga ky i Presidentit Obama, por kombi i dha karar kësaj pune duke zgjedhur dikë tjetër në krye”. Dhe këtu ish hera e frazës që u veçua, e që po e përsëris në mënyrë të perifrazuar: “Prandaj do duhet të lutemi që Presidenti ynë të ketë sukses në drejtimin e këtij kombi”.

E nisa këtë shkrim me fjalimin e Obama-s, dhe po kthehem aty. Ishte praktikisht një fjalim i saktë, me mesazhet e duhura e të nevojshme për atë ‘sebep’, të cilin agjencitë e lajmeve të botës e publikuan menjëherë nën titullin “Më e mira nuk ka ardhur ende”. Kish në të, përveç shprehjes së falënderimeve e mirënjohjeve, edhe nënvizime të natyrës civiko-patriotike (fjala vjen, “ky vend ka pasuri më shumë se çdo komb tjetër”, ose “neve na bën të fortë mbi gjithçka besimi se ndajmë të njëjtin fat”, ose “roli i qytetarit në Amerikë nuk mbaron me votën”), edhe ndonjë nënvizim prej scholar-i (si për shembull, “fushatat elektorale mund të duken të kota, dhe kjo i bën cinikët të thonë se në to bëhet një garë egosh, por … nuk është kështu; zgjedhjet kanë rëndësi, janë ngjarje të mëdha …”, ose “demokracia mund të jetë e zhurmshme, e rrëmujshme, e komplikuar, [pasi] ne kemi opinionet tona, besimet tona të thella, gjë që provokon pasione e kontraste, por kjo nuk do të ndryshojë pas natës së sotme; e nuk duhet të ndryshojë”, ose “ndërsa jemi duke folur këtu, në vende të tjera ka njerëz që po rrezikojnë jetën e tyre për ta pasur këtë mundësi ballafaqimi për çështje të rëndësishme”).

Por tjetër gjë ta tërhiqte vëmendjen. Ishte një shije e mirë e përgjithshme që ai fjalim të linte. Ish i njëjti efekt me atë të Romney-t, ndonëse ky efekt vinte për arsye të ndryshme. Fjalimi i Romney-t dallohej prej dinjitetit të humbësit, ndërsa fjalimi i Obama-s dallohej prej përunjësisë së fituesit. Dhe është pikërisht kjo që ia vlen të theksohet me vlerën e një leksioni për politikën shqiptare.

Dikush tjetër, me shumë të drejtë, mund të veçojë si elementë didaskalikë të këtyre fjalimeve klasin, korrektesën në marrëdhëniet me kundërshtarin, fokusimin tek idetë, dashurinë për kombin, por ‘përunjësia e fituesit’ e ‘dinjiteti i humbësit’ nuk janë elementë më pak të rëndësishëm për t’u veçuar. Obama e Romney, me sjelljen e tyre tepër elegante, gati-gati duket sikur na thonë se “të humbësh, nuk ke humbur asgjë” dhe se “të fitosh, ke fituar veç kokëçarje”. Sigurisht, nuk është tamam kështu, por përpjekja për ta çmistifikuar fitoren e për ta zhdramatizuar humbjen është një leksion që zbut klimën, që qetëson mbështetësit, që i mban zgjedhjet në limitet e një gare, e jo të një beteje për jetë a vdekje. Kjo është mënyra se si duhet të funksionojnë gjërat në demokraci.

Këtej nga ne nuk ndodh kështu. Fituesit në Shqipëri dinë të sillen veç si triumfatorë harbutë, që shumicën në favor të tyre (shpesh bëhet fjalë për një shumicë të kopsitur nga trukimi i rezultatit të zgjedhjeve) e shohin si inkurajim për të qenë arrogantë e si patentë, jo për të drejtuar, por për të sunduar, ndërsa humbësit e interpretojnë humbjen si një gjëmë të padëgjuar jo vetëm në planin personal, por edhe për të ardhmen e kombit, gjë që i bën ata ose të mos e njohin humbjen, ose të sillen në mënyrën më pak të dinjitetshme kur humbjen nuk mund t’mos e njohin.

Qoftë dhe ky fakt tregon se na duhet punë, e kohë, për t’u bërë një demokraci gjenuine e funksionale.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA