Tërhiqet nga detyra e kreut të inteligjencës amerikane, David Petraeus i cili u emërua në këtë post vetëm shtatorin e vitit të kaluar.
Lajmi u njoftua nga drejtori i inteligjencës kombëtare amerikane, James Clapper. Në mesazhin e shpërndarë për mediat, nuk përcaktohet shkaku i kësaj dorëheqje, por Washington Post shkruan se motiv u bë shpërthimi i një skandali për një lidhje jashtëmartesore të tij.
“Sot, drejtori i CIA-s, David Petraeus i dorëzoi Presidentit letrën e dorëheqjes së tij. Vendimi i tij për t’u tërhequr përfaqëson një humbje të një figure me respekt publik, një shërbëtor i publikut dhe Shteteve të Bashkuara. Si në karrierën ushtarake, ashtu edhe në krye të CIA-s, Dave është shembulli më i mirë i sakrificës dhe shërbimit për të mirën e vendit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga James Clapper.
David Petraeus mori detyrën e shefit të shërbimeve sekrete amerikane në shtatorin e kaluar duke zëvendësuar në këtë post, Leon Panneta-n. Ai është një ushtarak karrierë dhe para marrjes së detyrës së rëndësishme në Uashington, ishte kreu i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.
Kush është David Petraeus
David Petraeus është 58 vjeç dhe ka lindur në Kornuell, në shtetin e Nju Jorkut, pak kilometra larg Akademisë Ushtarake West Point.
Petraeus është një gjeneral me katër yje, me një karierë shumë prestigjoze dhe i konsideruar si një nga ushtarakët kryesorë të Shteteve të Bashkuara.
Përveç edukimit në akademinë ushtarake të sipërpërmendur, ai ka edhe një doktoratë në histori në Universitetin Princeton.
Pas rezultateve të arritura në Irak në periudhën e së ashtuquajturës “përpjekja shtesë”, në përfundim të presidencës së George W. Bush, Petraeus u kthye në SHBA për të drejtuar Komandën Qendrore në Tampa të Floridës, përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme dhe Azinë e vogël.
Në fund të qershorit 2010, presidenti Barack Obama vendosi t’i besonte drejtimin e komandës në Afganistan, për të zëvendësuar Stanley McChrystal, një tjetër gjeneral i shumëdekorduar por i shkarkuar pas një interviste për “Rolling Stone”, ku akuzonte lidershipin politik amerikan.
Më pas, në vitin 2011 erdhi dhe detyra e re tek CIA, e cila nuk përfundoi në mënyrën më të mirë për ushtarakun e karierës, por u mbyll pas një periudhe pak më të gjatë se një vit.
Familja dhe gruaja plangprishëse
David dhe Holly Petraeus u martuan në vitin 1974 dhe kanë dy fëmijë. Bashkëshortja e tij punon për një agjenci qeveritare që merret me mbrojtjen e familjeve të ushtarakëve nga borxhet dhe fajdet.
Ndërkohë është zbuluar se gruaja e marrëdhënies jashtëmartesore është Paula Broadwell, autore e biografisë së gjeneralit të titulluar “All In: The Education of General David Petraeus”.
Sipas informacioneve të NBC News, FBI kishte hapur një hetim mbi këtë grua pasi dyshohej se kishte tentuar të hynte në mesazhet elektronike të gjeneralit për të kërkuar material të rezervuar.
Broadwell ka ndjekur akademinë West Point, ku ka studiuar edhe vetë Petraeus, për të vazhduar më pas me studimet e larta në Harvard.
Top Channel