Cristiano Ronaldo, në një intervistë për CNN, ka pranuar se imazhi që transmeton tek publiku mund ta ketë dëmtuar në rivalitetin e ashpër që ka me yllin e Barcelonës, Leo Messi, i cili ka fituar Topin e Artë FIFA në tre vitet e fundit.
“Nuk dua të ankohem, por mendoj se është pikërisht kështu. Kam përshtypjen se disa herë kam dhënë imazhin e gabuar. Njerëzit më shohin si arrogant sepse jam shumë serioz në fushë”, theksoi sulmuesi portugez, i cili mendon se për këtë gjë kanë faj edhe mediat që e përshkruajnë shumë më ndryshe nga realiteti.
“Mediat nuk më njohin si jam në të vërtetë. Nëse gazetarët do të ishin miqtë e mi dhe do të kalonin të paktën një ditë me mua në shtëpinë time, do të ndryshonin mendim për mua”, shton numri 7 i Real Madrid.
Cristiano mbrohet edhe nga ata që e quajnë “arrogant”: “Nuk më pëlqen të humbas, por njerëzit e interpretojnë këtë gjë ndryshe dhe mua nuk më pëlqen të më konsiderojnë arrogant. Do të më pëlqente shumë të flisja me ata që mendojnë kështu në mënyrë që t’i bëja të ndryshonin mendim për mua.”
Top Channel