Është hapur në Pekin përpara më shumë se 2000 delegatëve, kongresi i 18-të i Partisë Komuniste Kineze, e cila do të kryejë rotacionin e lidershipit.
Në Pallatin e Popullit, në sheshin Tiananmen, presidenti Hu Jintao, 69-vjeçar, ka lexuar bilancin e 10 viteve të tij në krye të vendit.
Në fund të Kongresit, i cili do të vazhdojë me punimet e tij deri të mërkurën, Hu do të largohet nga posti i tij i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste Kineze, i cili do të zihet nga Xi Jinping, 59-vjeçar, një njeri i panjohur për publikun e gjerë.
Delegatët e shumtë mbërritën në kryeqytetin Pekin, për të përfaqësuar të gjitha krahinat e mundshme kineze në tranzicionin politik, që ndodh vetëm një herë në dekadë.
Masat e sigurisë janë më të forta se kurrë, ndërsa një perimetër sigurie, pranë të cilit kalimi është kufizuar, është vendosur në kryeqytet.
Zëdhënësi i Partisë Komuniste Kineze, Cai Mingzhaoi, deklaroi më herët: “Ky kongres do të ketë një rëndësi thelbësore, pasi Kina është në një fazë vendimtare të ndërtimit të një shoqërie moderne, të begatë dhe të hapur. Ky kongres do të përshpejtojë procesin e transformimit dhe do t’i japë një impuls të ri rritjes sonë ekonomike”.
Top Channel