Presidenti kinez Hu Xhintao çeli Kongresin e Partisë Komuniste, që përsëritet një herë në 10 vjet, duke paralajmëruar si thembrën e Akilit, korrupsionin. Ai iu drejtua mbi 2000 delegatëve dhe fjalimi i tij shënon fillimin e një jave, që do të sjellë ndryshim në udhëheqjen e vendit.
“Duke kundërshtuar korrupsionin dhe duke ndërtuar një qeveri të ndershme e të pastër, ky është qendrimi i qartë i partisë dhe një çështje e rëndësishme politike, të cilës njerëzit i kushtojnë vëmendje. Nëse ju dështoni për t’i bërë ballë korrupsionit, ashtu siç duhet, atëherë kjo do të rezultojë fatale për partinë dhe do të shkaktojë shembjen e partisë dhe shtetit”.
Xhintao deklaroi se, kushdo që do të shkelë ligjin do të nxirret para drejtësisë, “cilado qoftëe detyra e tyre”. Duke folur për korrupsionin, ai i bën jehonë të njëjtës çështje, të trajtuar 10 vjet më parë, në Kongresin paraardhës.
Asokohe u tha se “Partia rrezikon të vetëshkatërrohet, nëse nuk i bën ballë korrupsionit”. Nuk është i largët skandali që përfshiu Bo Shilain, i konsideruar si një prej drejtuesve të ardhshëm të Kinës. E shoqja e tij u burgos për vrasjen e një biznesmeni britanik dhe ai pritet të gjykohet, i akuzuar për korrupsion.
Në të gjithë vendin, skandalet e korrupsionit kanë ndezur revoltën e publikut, madje janë shënuar edhe protesta, që u përqëndruan te rrëmbimi i pronave apo çështjet mjedisore.
Në Internet, mijëra njerëz kërkojnë masa më të rrepta për të luftuar korrupsionin, në faqet online të hapura enkas për Kongresin nga agjencia Shinua, “E përditshmja e popullit” dhe “Televizioni Qëndror i Kinës”.
Ekonomia ka shënuar rënie muajt e fundit, ndërsa hendeku mes të pasurve e të varfërve është shndërruar në një shqetësim të madh, po kaq edhe mosha e popullsisë.
Presidenti kinez tha se Kina do t’i përshtatet ndryshimeve të brendshme dhe mjedisit botëror.
“Ne duhet të synojmë lart dhe të punojmë më shumë, të vazhdojmë të ndjekim zhvillimin në mënyrë shkencore, të promovojmë harmonine sociale dhe të përmirësojmë jetën e popullit”.
Kongresi, programi i të cilit nuk është bërë publik, do të zgjasë një javë. E ardhmja e drejtimit të saj shihet me shumë vëmendje në të gjithë botën. Ai do të zgjedhë Komitetin e Ri Qëndror, që përcakton organizmin më të lartë vendimmarrës, Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike me nëntë anëtarë.
Përpara zhvillimit të Kongresit ka patur spekulime, se numri i antarëve të tij do të zvogëlohet në 7. Udhëheqësi i ardhshëm i partisë pritet të zgjidhet Shi Xhinping, i cili parashikohet të marrë edhe detyrën e Presidentit të Kinës, në mars të vitit 2013, ndërsa zëvendësi i tij në parti do të jetë Li Keqiang.
Në Pekin janë shtuar masat e sigurisë dhe 1.4 milionë vullnetarë po ndihmojnë për këtë qëllim. Sipas Amnesty International, rreth 130 disidentë politikë po mbahen në arrest shtëpie.
Top Channel