Ish-kryeministri i Libisë hetohet për vrasje

08/11/2012 15:45

Një gjykatë libiane lajmëroi se do të marrë në pyetje ish-kryeministrin e vendit, Mustafa Abdul Jalil, në lidhje me vrasjen e kryekomandantit Abdel Fattah Younes, në vitin 2011.

Jalil, i cili kryesoi qeverinë e parë pas rënies së diktatorit Muammar Gaddafi, besohet se është i përfshirë në mënyrë të tërthortë ose të drejtëpërdrejtë me atentatin ndaj gjeneralit Younes, një prej figurave me më shumë ndikim në vend.

Marrja në pyetje e ish-kryeministrit është pjesë e një hetimi ndaj 11 personave në tërësi.

Gjenerali Younes, ndonëse një figurë e moderuar, konsiderohej si një person i besuar i regjimit të Gaddafit, të cilin e ndihmoi që të merrte pushtetin në vitin 1969.

Atentati ndaj tij ndodhi pasi iu dërgua një mandat për marrje në pyetje, që e bëri të largohej nga qyteti i Bregës, drejt Bengazit.

Hetimet e mëvonshme treguan se me shumë gjasa, mandati dhe thirrja e tij në Bengazi ishin pjesë e një atentati të organizuar me kujdes.

Top Channel