Fitorja ndaj Barcelonës përlot Rod Stewart

08/11/2012 00:00

Fitorja historike e skocezëve të Celtic ndaj Barcelonës në ndeshjen e së mërkurës e vlefshme për Grupin G të Ligës së Kampioneve do të mbahet mend gjatë nga vendasit si ndeshja ku ata triumfuan ndaj njërës prej skuadrave më të mira në botë.

Kampionët skocezë fituan 2-1 falë golave të Wanyama dhe Watt, ndërsa për miqtë ngushtoi diferencën Lionel Messi në sekondat e fundit të takimit.

Fërshëllima finale e gjyqtarit çoi në delir tifozët në Celtic Park në Glasgow. Për ta kjo fitore ishte dhurata më e mirë e marrë nga skuadra në javën që “The Bhoys” festojnë 125-vjetorin e themelimit.

…Dhe në shkallët e stadiumit s’kishte si të mungonte Rod Stewart, këngëtari skocez me famë botërore i njohur si tifoz i Celtics. Aq të forta kanë qenë emocionet për të, sa këngëtari shpërtheu në lot gëzimi pas përfundimit të takimit.

Me këtë fitore Celtic rrit mundësitë për kalimin në fazën e mëtejshme të Ligës së Kampioneve. Skocezët ndodhen në vendin e dytë të grupit me 7 pikë, ndërsa pas kanë Benfikën me 4. Kreu mbahet nga Barcelona me 9 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA