Assad: Do të jetoj dhe do të vdes në Siri

08/11/2012 15:20

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, deklaroi se do të vazhdojë të “jetojë dhe të vdesë” në Siri, ndonëse vendi është përfshirë nga një luftë e ashpër civile.

”Unë nuk jam një kukull, nuk erdha në pushtet prej perëndimit dhe nuk do të largohem prej tij. Unë jam sirian, kam lindur në Siri, shtëpia ime është në Siri dhe ky është vendi që dua të jetoj dhe të vdes”, deklaroi Presidenti Al-Assad, në një intervistë për televizionin “Russia Today”.

I pyetur për mundësinë e përballjes me një ndërhyrje të huaj ushtarake, Assad paralajmëroi se diçka e tillë do të krijonte një “efekt domino” në të gjithë botën.

”Mendoj se kostoja e pushtimit të Sirisë nga forcat e huaj, nëse kjo do të ndodhë, do të jetë më e lartë nga sa bota mund të përballojë. Për shkak të natyrës së Sirisë, që ka qenë një bastion i sekularizmit, qendrueshmërisë dhe bashkëekzistencës në rajon, efekti domino do të verifikohet nga Oqeani Atlantik, deri në Oqeanin Paqësor”.  

Komentet e Al-Assad erdhën ndërsa kryeministri i Britanisë, David Cameron, i ofroi atij imunitetin e përndjekjes ligjore dhe siguri për veten e familjes Assad, nëse Presidenti do të largohej nga Siria, duke i dhënë fund luftës civile që i ka kushtuar jetën më shumë se 36 mijë sirianëve deri tani.

Kryqi i Kuq: Nuk e përballojmë dot më gjendjen në Siri

Në një tjetër zhvillim gjatë së enjtes, Kryqi i Kuq lajmëroi se nuk mund të përballojë më situatën humanitare në përkeqësim të vazhdueshëm.

”Serioziteti i krizës është duke u thelluar ditë pas dite dhe ky trend nuk është ndërprerë që prej kësaj vere. Ekzistojnë disa zona të zeza, ky Kryeqi i Kuq nuk ka më akses dhe asnjë ndihmë nuk mbërrin tek popullsia, e cila gjendet në një situatë tepër kritike”.

Në luftimet gjatë së enjtes, ndërkohë, të paktën 40 persona të tjerë mbetën të vrarë, deri në mesditë, sipas raportimeve të “CNN”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA