Roberto Mancini theksoi se Manchester City e ka përfunduar aventurën në Ligën e Kampioneve pasi skuadra e tij nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Ajax, në një ndeshje ku arbitri Peter Rasmussen gaboi duke i anulluar një gol dhe duke mos i akorduar skuadrës angleze një 11-metërsh në sekondat e fundit të ndeshjes.
“Mendoj se i dhamë fund Ligës së Kampioneve tashmë. I thashë arbitrit se goli që u anullua ishte i rregullt. Ai dhe ndihmësit e tij bënë një punë shumë të dobët. Është e pabesueshme se si e anulluan atë gol. Ndërsa për penalltinë ndaj Balotelli lojtarët më thanë që ishte 100%”, deklaroi trajneri italian pas ndeshjes.
Barazimi bën që Manchester City-t t’i duhet një mrekulli për të kaluar në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve. Në Grupin D, kampionët në fuqi të Anglisë kanë vetëm 2 pikë dhe do të kualifikohen vetëm nëse fitojnë ndaj Realit në Etihad dhe Borussias në Signal Iduna e në të njëjtën kohë rezultatet e takimeve të tjera të jenë favorizuese për ta.
Kapiteni i Ajax, Siem de Jong, shënoi dy golat e parë të ndeshjes, por Yaya Toure dhe Sergio Aguero barazuan takimin para se arbitri Rasmussen të bëhej protagonist me vendimet e tij të gabuara.
Top Channel