Shqipëria është marrë peng nga bastardët

07/11/2012 00:00

Artan Mullaj – Vrulli i festës ka nisur dhe përgatitjet e shëmbëllejnë ditën e pavarësisë me atë të një dasme. Disa janë caktuar të zgjedhin fustanin e nusërisë, të tjerët do të merren me dhuratat, monumentet, mbishkrimet, aktivitetet, përzgjedhjet, muzetë, gënjeshtrat dhe ritet e nevojshme. Të tjerët, ata më finët, do të përzgjedhin muzikën që do të emocionojë pjesëmarrësit e sjellë në tubime, ndërkohë që kalemxhinjtë duhet të kenë bërë gati patjetër fjalimin e ardhshëm të kreut të vendit.

Flamuri kombëtar duket më shpesh gjithandej, dhe do të shpeshtohet edhe më në çatira, ballkone, shkallare. Njerëzit nuk është nevoja ta ruajnë më të fshehur në sëndukë, për ta nxjerrë si margaritarë të çmuar në festën shekullore të kombit. Është e lehtë të gjesh një flamur, falë dramës së komercialitetit që sundon jetën tonë. Por kjo lehtësi të kujton po kaq lehtë zbehjen e nacionalitetit tonë në çdo skaj. Po të hyjmë në të thella, flamuri shqiptar nuk e ka atë magjinë e dikurshme të përfaqësimit, në kohët e para kur fshehur në sëndukët e vjetër, ato nuk ishin thjesht copa leckash të mykura, të kuqe me një shkabë të zezë në mes. Atëherë kishte njëlloj nderimi për to. Njerëzit mbanin frymën, sepse në ngjyrën e kuqe fshihej magjia e përbashkimit. Sot jo gjithherë.

Më parë, flamuri përzihej në mënyrë simbolike me patriotizmin pështjellues të shqiptarëve të zakonshëm. Sot është ndryshe, mungon krenaria. Kjo mungesë nuk është thjesht mungesë nderimi për flamurin tonë. Është, për fat të keq, përçmim për Atdheun. Përçmimi për Atdheun, a nuk është sot në modë njëlloj si tradhtitë bashkëshortore në motele, apo edhe si FB-ku? Sa herë na ndodh të dëgjojmë shprehjen: “Këtu nuk jetohet! Ky është një vend i mallkuar! Këtu ka mbaruar gjithçka! Politika është si një kurvë, me mbathjet rënë në fund të këmbëve. Politikanët janë mediokër, primitivë e të babëzitur”. Sa herë emigrantët tanë që vijnë nga Perëndimi për të pushuar e çmallur me njerëzit e tyre, lënë pushimet në mes duke thënë: “Po ju si qëndroni këtu? Si jetoni e duroni këtu? Me këto kushte, me këtë korrupsion dhe pisllëk, me këta katundarë që mizërojnë trotuareve, me këta mafiozë të rrezikshëm në majat e shoqërisë dhe me këta banditë barbarë në pushtet? Ka plot vende të tjera në planet ku ia vlen shumë më shumë të shpenzosh gëzueshëm energjinë tënde të jetës!”

Natyrisht, gjithkush është i lirë ta dojë, të mos e dojë apo edhe ta përçmojë vendin e tij. Duke e dashur ose duke e urryer, secili shfaq optikën e tij, që mund të jetë sa e sinqertë, sa konstruktive, aq provinciale. E dimë, e dimë, e dimë! Shqipëria e shkretë, në prag të nusërimit për 100-vjetor, është e sëmurë dhe e zhgënjyer. Fustani i bardhë i festës nuk do të mund ta mbulojë lodhjen e saj. Por lodhja dhe sfilitja nuk duhet të jenë arsye për ta përçmuar. Përkundrazi. Dashuria është një fuqi që lind pikërisht nga vuajtjet, dhimbjet dhe mungesat. Në vend që ta përçmojmë, duhet ta ndiejmë. Le ta ndiejmë, kuptojmë e marrim seriozisht Shqipërinë tonë këtë përvjetor! A mund ta duam Shqipërinë duke vuajtur për të? A mund ta duam duke e pranuar siç është, veshur me zhele dhe këmbëzbathur? A mund të zemërohemi dhe të shpërthejmë, për t’i kundërvënë këtë dashuri barbarisë së sundimtarëve, që e kanë lënë këto 100 vjet në vetmi dhe mjerim?

Si një kritik i qeverisë, shumë herë pyes veten, mos ndoshta zemërimi im ndaj brutalitetit qeveritar i kalon caqet eduhura. Shpesh kam mëdyshje, mos ndoshta jam i padrejtë kur nuk besoj tek “udhëheqësit” e popullit tim dhe përpiqem t’i imponoj këtë vullnet edhe të tjerëve. Por në çdo rast bëj një ndalesë. Ndiej se si i çdo qytetari të thjeshtë shqiptar, zemërimi im është i shëndetshëm: zemërimi, besimi i munguar ndaj politikanëve shqiptarë që vendosin për lirinë tonë, shndërrohet ndonjëherë në urrejtje për ta. Sepse ata, sundimtarët, politikanët, po shkatërrojnë Shqipërinë duke i vjedhur pasurinë dhe duke fshirë njëherë e mirë nga shpirti ynë krenarinë.

A mund t’i besojmë kësaj klase politike, e cila pjesën më të madhe të kohës e shpenzon me sharje e fyerje për njëri-tjetrin, duke fyer durimin tonë që rrimë e i dëgjojmë duke shpresuar se do të ndryshojnë veten dhe vendin e tyre? A ka ende naivë të tillë në Shqipëri që besojnë se në drejtimin e punëve publike gjenden njerëzit e duhur, njerëzit e ditur, karriera politike e të cilëve është e lidhur me pasionin, përkushtimin dhe dashurinë, pikë së pari, për vendin e tyre. Vështirë! Duke u bërë shtetas shekullorë, shqiptarët, ndryshe nga ç’thuhet, janë të lodhur, të varfër, të zhgënjyer, shpesh të pashpresë. Jo se midis tyre nuk ka njerëz të tillë, mendimtarë dhe atdhetarë, të aftë e pasionantë, që do ta tërhiqnin zgjedhën e rëndë të zhvillimit drejt suksesit dhe krenarisë. Natyrisht që Shqipëria ka bij të devotshëm, të paprekur nga ndotja e moralit, por ata nuk janë në arenë, sepse nuk janë në pushtet, sepse pushteti në Shqipëri është zaptuar, si zaptohet një kështjellë. Duke qenë e pamundur hyrja në të, jo historia, por harresa i ka marrë dhe do t’i marrë pas vetes si dallga rërën në bregdet. Shqipëria është e marrë peng nga bastardët. Ndaj nuk ecën përpara. Nuk ecën përpara, nuk rri dot në këmbë, por në gjunjë. Zvarritet në drejtimin e ethshëm ku shumë larg saj, si një galaktikë, vezullon Europa. Zvarritet përpara, mbahet me thonj, me gishta të gjakosur për të mos rrëshqitur në fund të greminës së tranzicionit, ku klasa politike e ka shtyrë pa mëshirë. Ngjitet në majë, rropatet, përbaltet, kapet pas rrënjëve të pemëve derisa një shkulm i mallkuar e shtyn, e rrëshqet sërish mbrapsht në humnerë.

Duam të shkojmë drejt Europës, ndërkohë që sfida jonë nuk është rruga drejt vlerave, por dalja nga makthi dhe terri i tranzicionit, që na barazon me vendet e botës së tretë. Drejtësia në vend dhe korrupsioni na bëjnë të ngjasojmë më shumë me vendet që nuk qeverisen, por sundohen nga klika që mund të përmbysen veç me revolucione. Le të hapim sytë mirë të shohim mirë hallet tona në këtë përvjetor. Të shohim se si nënat i rrisin fëmijët e tyre. Se ku edhe si mësojnë fëmijët tanë dhe si ushqehen prindërit tanë. Të shohim se si varfërohen njerëzit e thjeshtë të punës për të zhvlerësuar nderin dhe drejtësinë. Dhe se si rriten ortekët e llogarive bankare të politikanëve hajdutë. Të shohim se si lulëzon mediokriteti dhe militantizmi, duke ngritur lart njerëz që nuk meritojnë dhe si, njerëzit e thjeshtë e të drejtë luftojnë të fitojnë jetesën e vështirë me dinjitetin e tyre.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë, arritjet nuk mund të maten me deklaratë boshe dhe demagogji politikanësh të zhytur në llumin e mëkateve të tyre, por me nivelin e dinjitetit që vendi i afron apo i mohon qytetarëve të vet.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA