Levan-Tepelenë, bllokohet rruga

07/11/2012 18:10

Është bllokuar për rreth një orë qarkullimi në autostradën Levan-Tepelenë. Shkak u bë shkëputja nga mali i një masivi gurësh, të cilët kanë bllokuar të dyja anët e autostradës më të re, të inaguruar vetëm 2 muaj më parë.

Bllokimi i autostradës ka ndodhur rreth orës 15.30, në afërsi të fshatit Kremenare të komunës Fratar, në Mallakastër. Për fat të mirë në çastin e shkëputjes së masivit të gurëve, në këtë pjesë të autostradës nuk kishte mjete që udhëtonin nga Levani për në Tepelenë dhe anasjelltas.

Mjetet e firmës ndërtuese kanë ndërhyrë për hapjen e një pjese të rrugës së vjetër duke mundësuar kështu lejimin e qarkullimit. Specialistët italianë të firmës ndërtuese thanë se shkarja e masivit të gurëve është shaktuar si pasojë e reshjeve të shumta.

Sipas tyre, janë rreth 300 mijë metër kub gurë që janë shkëputur nga mali, ndërkohë që shqetësues është një tjetër masiv gurësh që rrezikon të bjerë sërish në autostradë, i cili ndodhet vetëm 500 metra larg nga këtu.

Po sipas tyre, dëmet e shkaktuara përgjatë autostradës duan më shumë se një muaj punë që të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA