Manchester United kualifikohet për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve, Juventus merr fitoren e parë, pas më shumë se dy vjetësh në këtë kompeticion, ndërkohë Barcelona pëson humbjen e parë, nën drejtimin e Vilanova-s.
Skuadra italiane shkatërroi 4-0 modestët e Nordsjaelland, duke marrë njëkohësisht dhe 3 pikët e para në këtë sezon të Champions-it. Marchisio, Vidal dhe Giovinco, në pjesën e parë, dhe Quagliarella, në të dytën, ishin autorët e golave për Juventus, që mban ritmin e Chelsea-t dhe Shahktar Donetsk, në krye të grupit. Londinezët mundën 3-2 ukrainasit e Luceskut, në “Stamford Bridge”, falë golit të Moses në fund të ndeshjes.
Lille është shkatërruar me një rezultat tenistik nga Bayern Munich. Bavarezët e Heynckes fituan 6-1 me golat e Pizarro, Schweinsteiger, Robben e Kroos dhe e sheh veten në vendin e parë në grupin F, me po aq pikë sa Valencia, që mposhti 4-2 BATE Borisov.
Barcelona e Vilanova-s u mund 2-1 nga Celtic, duke shijuar dhe humbjen e parë këtë sezon. Gjithsesi, katalanasit janë në një situatë komode, pasi janë të parët e grupit dhe ndeshjen e fundit do ta luajnë në “Camp Nou” me Benfica-n.
Situata në grupin H është komplikuar disi, pasi janë 3 skuadra, që kërkojnë kualifikimin për në raundin tjetër. Galatasaray mori fitoren e parë, pasi mundi 3-1 Cluj-in në Rumani, ndërsa Manchester United siguroi vendin e parë, me fitoren 3-1 ndaj Braga-s.
Top Channel