Ndërsa në SHBA po votohet për të zgjedhur njeriun që do të udhëheqë vendin më të pushtetshëm të botës në katër vitet e ardhshme, ambasadori Alexander Arvizu, pranoi ftesën e “Top-Channel”, për të debatuar nga studio qendrore e lajmeve për ndryshimet që ato mund të sjellin këto zgjedhje në qëndrimin e Uashingtonit ndaj çështjeve të ndryshme globale dhe konkretisht, në zhvillimet e ardhshme në rajon dhe Shqipëri.
Top Channel – Zoti Arvizu, ju jeni një votues i regjistruar, pa dashur të mësojmë për kë votuat, a mund të na thoni se në çfarë mënyre votoni ju, stafi i ambasadës dhe të tjerë amerikanë që jeni larg atdheut?
Ambasadori Arvizu – Unë votova me fletë votimi në mungesë, kjo është mënyra më e zakonshme që votojnë ata që janë jashtë. Kjo është një mënyrë tradicionale që përdoret për një kohë të gjatë, por në këto zgjedhje janë shumë amerikanë që jetojnë në SHBA që kanë votuar më herët, miliona kanë votuar më herët dhe kjo është një risi. Kjo masë është e re, e përdorur në këto vite të fundit dhe synon që të rrisë pjesëmarrjen, duke lejuar njerëzit që të kenë më shumë kohë për të votuar, sidomos nëse nuk mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve.
Top Channel – Mund të na shpjegoni si votohet me postë dhe me email, e sa të sigurta janë këto vota?
Ambasadori Arvizu – Kur votohet me fletë votimi në mungesë, zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar në një vendbanim, në një shtet të caktuar dhe vota e tij llogaritet pjesë e shtetit ku është i regjistruar. Kur voton në mungesë, duhet firma e një dëshmitari, që për mua do të jetë bashkëshortja ime. Nga ana tjetër, votimi me email është i rrallë dhe pothuajse i pazakontë. Këtë herë ai është lejuar vetëm për të dëmtuarit e uraganit “Sandy”, të cilët nuk kanë pasur mundësi të votojnë për shkak të vështirësive objektive. Megjithatë, siç thashë, votimi me email është i pazakontë.
Top Channel – Europa preferon Obamën kundrejt Romney. Çfarë do të ndryshojnë këto zgjedhje në politiken amerikane në raport me Europën? Administrata e Obamës ka qenë ndoshta më e sjellshme se ajo e Presidentit Bush, por jo aq aktive në politiken e jashtme sa ajo e republikanëve.
Ambasadori Arvizu – Nuk jam dakord mbi shkallën e aktivizmit. Unë mendoj se kemi qenë shumë aktivë në Europë edhe gjatë kësaj administrate. Mendoj se ndonjëherë njerëzit e shohin atë që ne quajmë një çështje sigurie dhe përparësie për Azinë në mënyrë jo shumë të qartë. Ky është një hap shumë praktik në dritën e situatës, por ne kemi qenë shumë të qartë mbi faktin se përqendrimi në Azi nuk është bërë dhe as do të bëhet në kurriz të Europës, e cila mbetet një gur themeli për politikën tonë. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, sinqerisht dyshoj nëse do të ketë ndonjë ndryshim domethënës për politikën me Europën, pavarësisht fituesit të këtyre zgjedhjeve.
Top Channel – Shumica e shqiptareve i shohin këto zgjedhje me tifozllik, nisur thjesht nga simpatitë politike apo personale. Nëse në këto zgjedhje fiton republikani Romney, a do të ketë ndryshim politika e Uashingtonit në Shqipëri apo administrata e re do te vijojë në rrugën e administratës Obama?
Ambasadori Arvizu – Besoj se se cilado administratë të udhëheqë në Uashington, politika bazë për Shqipërinë nuk do të ndryshojë, siç e bëri të qartë edhe Sekretarja Clinton një javë më parë në Tiranë. SHBA e konsideron Shqipërinë mike dhe aleate të palëkundur, kështu për 100 vite, pavarësisht historisë së vështirë, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen e parashikueshme.
Top Channel – Çfare mund të mësojne shqiptarët nga zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, nisur nga eksperienca juaj e zgjedhjeve të majit 2011 dhe duke parë që kemi edhe ne zgjedhje në qershorin tjetër?
Ambasadori Arvizu – Duke iu referuar zgjedhjeve të majit 2011, zgjedhje që sollën një situatë barazimi kokë më kokë, diçka e tillë ka për të sjellë sfida kudo që të ndodhë. Është diçka që edhe në SHBA do të prezantonte një problem. Në vendin tonë ka disa vende që marzhi fitues është gjysma e një përqindërisht, atëherë ka në mënyrë automatike një rinumërim dhe në disa vende ka rivotime. Kjo është e kushtueshme dhe shpesh herë e lodhshme, por kryesorja është që gjithçka të jetë transparente dhe që rregullat e lojës të jenë të qarta që më parë.
Top Channel