Vrasja e tregtarit, viktima i dha autorit 2 mijë lekë

05/11/2012 00:00

Tregtari Petrit Kurti, i vrarë më 23 gusht të këtij viti në dyqanin e
tij në Yzberisht në Tiranë, e kishte njohur atentatorin Jashar Meta.
Disa ditë para ngjarjes, Kurti e kishte takuar Metën në dyqanin e tij.

Pasi u prezantuan, autori i tha se sapo kishte dalë nga burgu dhe nuk kishte lekë për të shkuar në shtëpi, në Selitë. Më pas, Kurti i ka dhënë një kartëmonedhë 2 mijë lekëshe, duke ia falur. Disa ditë pas këtij episodi, Jashar Meta shkon në dyqan dhe i nxjerr armën dhe në përleshje e sipër, e qëllon dy herë, duke e lënë të vdekur.

Sipas burimeve nga prokuroria, vrasja ka ndodhur më 23 gusht në Yzberisht, ku një person në tentativë për të kryer vjedhje në marketin “Telai”, ka hasur në kundërshtimin e pronarit të marketit, Petrit Kurti, i cili është qëlluar dy herë me pistoletë. Në vendngjarje janë sekuestruar dy gëzhoja, një copë bluzë e grisur, e cila dyshohet se i përket autorit të kësaj ngjarjeje, si dhe një copë qeseje plastmasi, me të cilën autori kishte mbështjelle armën. Gjithashtu, u sekuestruan edhe pamjet filmike të kamerës së sigurisë, të cilat paraqesin momentin e grabitjes. Nga filmimet dhe nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës, në dyqan ka hyrë një person që ishte i moshës 28-30 vjeç, ezmer, me bluzë blu me mëngë të shkurtra, me xhinse, kapele të kuqe në kokë, i cili mbante në dorë një pistoletë. Në momentin që ka hyrë në dyqan, u është drejtuar: “Mos lëvizni se ju vrava”. Më pas hyri brenda banakut dhe është drejtuar te sirtari i lekëve. Shtetasja Meleqe Kurti, sipas akuzës, është shtrirë përtokë, ndërsa bashkëshorti i saj është drejtuar te ky person dhe ka filluar të përleshet. Autori ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Kurtit dhe është larguar me vrap. Si pasojë e plagëve të marra, Kurti ka humbur jetën.

Hetimet

Janë pyetur një numër i konsiderueshëm personash dhe profilet e disa prej tyre të ADN-ve janë dërguar për ekzaminime. Në copën e bluzës janë gjetur njolla të kuqërremta, të cilat rezultuan pozitive për gjak njeriu. Në këtë pjesë bluze gjithashtu u përftuan edhe mbetje djerse me vlera identifikuese. U përfitua një profil miks i të paktën tre personave. Duke qenë se nga verifikimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë dhe deklarimet e shtetases Meleqe Kurti rezulton se viktima të jetë përleshur me autorin, nga policia gjatë këqyrjes së kufomës janë këqyrur e marrë pjesë nga thonjtë e të ndjerit, të cilat janë dërguar për ekzaminime. Në pjesët e thonjve u përfitua një profil gjenetik human i seksit mashkull.

Dëshmia

Gjatë hetimit, është ripyetur bashkëshortja e viktimës, e cila, ndër të tjera, ka deklaruar se disa kohë para ngjarjes, të cilën ajo nuk mund ta përcaktojë dot me saktësi, në një bisedë e sipër bashkëshorti i saj, Petrit Kurti, i ka thënë se në dyqan i kishte shkuar një person, i cili i kishte thënë se ishte djali i bashkëfshatarit të tij, Liman Meta, nga fshati Selitë dhe i kishte thënë se kishte dalë nga burgu dhe i duheshin ca lekë për të shkuar në shtëpi. Sipas saj, Petriti i kishte dhënë 2000 lekë për të shkuar në shtëpi. Ajo pohon se ka dëgjuar se një nga djemtë e Limanit bënte grabitje. Gjithashtu nga informacionet e policisë figuron se shtetasi Jashar Liman Meta ka qenë më parë i ndaluar nga policia për “vjedhje me dhunë”, por më vonë është dënuar vetëm për moskallëzim krimi.

TIMS dhe provat

Ndërkohë, policia gjyqësore ka kryer edhe këqyrjen e sistemit TIMS, ku figuron se Jashar Meta, 10 ditë pas ngjarjes është larguar në drejtim të Italisë nga Pika e Kalimit Kufitar e Portit Durrës. Pas lindjes së dyshimeve, policia ka marrë mostra të pështymës së tij, për qëllime ekspertimi biologjik ADN-je dhe krahasimi. Bazuar në aktin e ekspertimit ka rezultuar se materiali biologjik i marrë me tampon shtetasit Jashar Liman Meta është i vlefshëm për identifikim individual me anë të analizës së ADN-së. I dyshuari është arrestuar, ndërsa gjykata ka pranuar kërkesën për masën “burg pa afat”. Hetimet po ndiqen nga prokuroria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB