Komisionerja e Bashkimit Europian, Cecilia Malmstrom, përsëriti sërish
se azilkërkuesit përbëjnë shqetësim për vendet e Bashkimit Europian.
Në konferencën për mediat pas takimit të ministerialit, që u mbajt në Tiranë, megjithëse foli për të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, zonja Malmstrom paralajmëroi se, nëse vazhdohet me këtë tendencë të rritjes së azilkërkuesve, atëherë Bashkimi Europian do të duhet ta vendosë në axhendë pezullimin e liberalizimit të vizave.
Cecilia Malmstrom, Komisionere e BE-së për punët e brendshme dhe drejtësinë u shpreh: “Javën që kaloi kishte një takim të ministrave të brendshëm të BE-së dhe unë raportova mbi situatën e liberalizimit të vizave, ndërsa shumë ministra janë të shqetësuar, pasi ka një rritje të azilkërkuesve me 73 përqind, krahasuar kjo me një vit më parë. Kërkesat vijnë nga të gjitha vendet, përfshirë dhe Shqipërinë, dhe kjo është diçka e cila ka shqetësuar shumë pjesëtarë të BE-së. Është një shqetësim, nuk është për nesër, por është diçka e cila do të futet shumë shpejt në axhendë, nëse ky trend nuk zvogëlohet. Dhe për këtë, unë vij me një mesazh shumë të qartë për vendet e Ballkanit perëndimor, që ky trend rritës të thyhet”.
Pyetjes së gazetarëve për pezullimin e liberalizimit të vizave, Komisionerja për Sigurinë Malmstrom iu përgjigj se, klauzola ende nuk ekziston, ndërsa pritet të hyjë në diskutimet e Parlamentit të Bashkimit Europian në fund të vitit.
“Klauzola e pezullimit të vizave ende nuk ekziston tani për tani. Ajo po negociohet mes ligjvënësve dhe Këshillit të Europës, mendoj se do të vendoset në fund të vitit. Nuk do të ketë ultimatum. Nuk është direkte, vetëm për vendet e Ballkanit perëndimor, është një amendament për të gjitha shtetet në Europë, që përfitojnë nga liberalizimi i vizave, por e shpërdorojnë me azilkërkuesit. Nëse ajo vendoset, do të jetë aktive me bazë individuale dhe pas propozimit të Këshillit, kërkon shumicë të cilësuar në Parlament”.
Më herët, gjatë fjalës hapëse në sesionin e parë të ministerialit të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë që zhvillohet në Tiranë, Komisionerja tha se korrupsioni është në rritje, duke lejuar grupet kriminale të infiltrohen në sektorin publik. Malmstrom kërkoi të sekuestrohen më shumë asete kriminale.
“Agjencitë e zbatimit të ligjit duhen forcuar. Kapacitet e tyre duhen forcuar për një luftë më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit transanacional, duke përfshirë këtu edhe hetimet financiare. Përpjekje duhen bërë për konfiskimin e aseteve kriminale. Korrupsioni është mjaft i përhapur dhe mbetet shqetësues. Ai pengon hetimin dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe lejon infiltrimin e grupeve kriminale në sektorin publik dhe privat. Të ketë dënime më të ashpra kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Malmstrom.
Ndërkohë që kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha ka premtuar në këtë ministerial se Shqipëria do të bëjë një luftë më të ashpër për të penalizuar azilkërkuesit, pavarësisht se Shqipëria ka një numër më të vogël të tyre se Maqedonia apo Serbia.
“Shfrytëzoj rastin t’i përcjell Komisionit Evropian vendosmërinë tonë për të ndërmarrë çdo hap dhe për t’i dhënë përgjigjen më të vendosur këtij fenomeni. Ne jemi të gatshëm të firmosim çdo marrëveshje për rikthimin në vend të personave që abuzojnë me këtë vendim shumë të rëndësishëm dhe fisnik. Mbi bazën e këtij qëndrimi, ne kemi rikthyer nga Mbretëria e Belgjikës, dy herë, grupe shqiptarësh që kishin aplikuar në mënyrë të pamerituar për azil politik. Po përgatitemi ta bëjmë këtë gjë me Dukatin e Luksenburgut dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë me secilin vend anëtar të zonës Shengen”, deklaroi Berisha.
Në ministerial marrin pjesë shtetet e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Shqipërisë, ku diskutohet në lidhje me reagimin e BE-së për të ndaluar për një afat të pacaktuar ballkanasit perëndimorë për të hyrë pa viza në zonën Schengen.
Top Channel