Ahmetaj: Qeveria i uli çmimin OSSH-së

05/11/2012 00:00

Selia rozë ka vijuar me denoncimin e asaj që e cilëson dështimin e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek CEZ.

Arben Ahmetaj, përmes një grafiku tregoi sesi një vit përpara shitjes së OSSH, një kompani e kontraktuar nga qeveria shqiptare uli në mënyrë të qëllimshme vlerën e saj përmes një raporti të hartuar prej saj në atë kohë.

Në vitin 2007 Sistemi i Shpërndarjes llogaritet të ketë pasur kapital në vlerën 187.5 milionë dollarë, por në raportin e parashitjes vlera e OSSH u ul në mënyrë artificiale në 80 milionë dollarë, tha Ahmetaj, sipas të cilit kjo u bë për të shitur atë tek CEZ me vetëm 102 milionë euro.

“Ky është momenti i vlerësimit, ose më mirë i zhvlerësimit, për ta shitur ose për ta falur me 102 milionë euro”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj ka vijuar që përmes grafikëve të tregojë se si menjëherë pas shitjes, vlera e kompanisë u rrit sërish, për shkak të transferimit të kapitalit dhe jo investimeve të privatit CEZ.

“Detyrimet e kësaj kompanie sot janë 443 milionë dollarë, pra, nga viti 2007 ato janë trefishuar”, nënvizoi Ahmetaj.

Në 2008 kapitali i operatorit të shpërndarjes arriti në 132 milionë dollarë, në 2009 arriti në 264 milionë dollarë, por në 2010 vlera e kapitalit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë shënon kthesën e fortë të rënies, ku vlera e kapitalit u zvogëlua me 10 herë, duke vijuar pikiatën deri në 13 milionë dollarë dhe sot tha deputeti socialist CEZ nga të dhënat operative rezulton me kapital negativ.

“Që do të thotë se pasuria e shqiptarëve nga menaxhimi dhe privatizimi i dështuar ka përfunduar negative. Një pasuri e shkrirë në vite nga papërgjegjshmëria e qeverisë. Kjo është arsyeja pse faturat e tyre janë 200 për qind më të larta se në vitin 2005”, shtoi Ahmetaj.

Sipas PS kolapsi i sektorit energjitik erdhi si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë me këtë privatizim të dështuar të pasurisë më të madhe energjitike të shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB