Funerali për Lirak Bejkon

04/11/2012 18:20

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të ish të dënuarit, Lirak Bejko, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në një spital në Bari të Italisë.

Përmes një deklarate, ambasada thekson se “dëshiron t’i shprehë pikëllimin e thellë dhe keqardhjen familjes dhe miqve të Lirak Bejkos, i cili ndërroi jetë më 2 nëntor. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju, në këtë kohë hidhërimi”, – përfundon deklarata e ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Trupi i të ndjerit Lirak Bejko vjen në Shqipëri ditën e martë në mëngjes. Kolegët e tij të grevës së urisë, së bashku me ish të dënuar të tjerë, janë mbledhur për të diskutuar detajet e ceremonisë së lamtumirës.

Ata thonë se do të shoqërojnë trupin e Lirak Bejkos, nga porti i Durrësit pranë familjes së tij në Tiranë, ku do të qëndrojë 24 orë. Më pas, ish të dënuarit kërkojnë hapjen e Institutit të “Ish të Përndjekurve Politikë” për kryerjen e homazheve.

“Do të mposhtim çdo pengesë, që do të na dalë përpara. Do të mundohemi të bëjmë funeralin më madhështor edhe jam i sigurt se kështu do të dalë, se me ne do të jenë të gjithë njerëz të ndershëm”, tha Islam Spahiu, ish i dënuar.

“Në shpresojmë që kisha e daljes së tij të jetë themeli i shoqatës së të përndjekurve, që sot është instituti. Unë nuk mund të pranoj dot hyrjen në institut, kur ai është shtetëror, por moralisht duhet ta hapin atë. Vajtja e tij drejt banesës së fundit është vajtje e një cope të secilit nga ne. Kush nga djegia e tij është djegur dhe i vjen turp, them që duhet të vijë. Kush është ngrohur, le të mos vijë”, u shpreh Edmond Halimi, ish i dënuar.

Lirak Bejko, një nga dy ish-të dënuarit politikë, të cilët ndërmorën aktin e vetëflijimit në shenjë proteste ndaj qeverisë, për mos plotësimin e kërkesave të tyre, ndërroi jetë, pasi nuk përballoi plagët e djegies së shkallës më të rëndë, në më shumë se 50 përqind të trupit.

“Lirak Bejko viktime e qeverise”
FRD:qytetaret ta nderojne ne heshtje dhe te marin pjese ne funeral

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA