Nasho Bakalli – Nuk janë të paktë ata që mendojnë se nacionalizmi është cilësi vetëm e atyre ekstremistëve që vringëllojnë armët dhe që valëvitin dhunshëm flamujt.

Parë më gjerë, nacionalizma është edhe një riprodhim i qetë e thuajse i padukshëm i ne të gjithëve në jetën tonë të përditshme. Shembuj të nacionalizmit në jetën tonë të përditshme janë: ekspozimi i flamujve kombëtarë, ngjarjet sportive, këngët, simbolet në monedha e kartëmonedha, shprehjet popullore, klubet dhe shoqatat patriotike, mediat … Në media, për shembull, në edicionet e lajmeve nacionalizmi shfaqet në përdorimin e termave  “Kryeministër i Shqipërisë”, “kryetar i PSSH”, “Moti sot… në Shqipëri dhe në Kosovë”, “Kombëtarja shqiptare”, si dhe në programacion: lajme nga “vendi” dhe “bota” etj. Këto e të tjera simbolika bëhen edhe më të efektshme për publikun për shkak të përsëritjes së tyre pothuajse të vazhdueshme në vetëdijen tonë natyrale. Dhe përsëritja nuk ngjet e shoqëruar me festime, parada, ose luftëra patriotike, por ajo rrjedh në mënyrë “të përditshme”, “rutinë”, “pavënëre”. Pra, të gjithë ne shqiptarët jemi nacionalistë. Sikurse janë të tillë edhe grekët, serbët, italianët etj.

E kjo ndodh sepse jetojmë në një botë ku prania e kombeve është e pashmangshme; ekzistenca e Greqisë, Serbisë, Italisë, Indisë, Kinës etj., është e pashmangshme. Ne kemi lindur në Shqipëri. Nëse ne do të kishim lindur në një kohë tjetër, ndër shekuj, në një vend tjetër ne mund të quheshim grekë, italianë ose diçka krejt tjetër. Pra, të qenët shqiptar është një veti e jona e pakundërshtueshme, e cila integrohet me elementet e tjera kombformuese në një konstruksion social. Si i tillë kombi riprodhohet, zhvillohet, tjetërsohet, por zor se humbet origjinën. Është kjo një arsye madhore që nuk na lejon të harrojmë se jemi shqiptarë, dhe që bën të kuptojmë se të gjithë jemi pjesë përbërëse të kombit shqiptar. Gjithashtu, na bën të ndihemi krenarë se i përkasim kombit shqiptar dhe se ai na përket neve. Duke na dëgjuar, dikush mund të thotë se nuk është fort e shëndetshme krenaria e Mordecait, (profet, i cili shquhej dhe adhurohej për krenarinë e skajshme për të qenët hebre.)

Dihet se përdorimi i krenarisë kombëtare me qëllimin për t’i bashkuar njerëzit dhe për t’i inkurajuar ata të punojnë drejt një rezultati pozitiv mund të jetë i dobishëm. Por, nga ana tjetër, dihet se kjo qasje është ca si e përgjithshme, pasi ajo nuk trajton edhe kurthin që vegjeton brenda krenarisë kombëtare. Kurthin apo vesin, quaje si të duash, për t’u hedhur me propagandë, me mjete financiare apo me njerëz edhe përtej kufijve që rrethojnë kombin tënd. Ja. U bënë 22 vjet, për të mos shkuar më parë, që krenaria kombëtare greke pakufi, me rast apo pa rast, shtriqet e pozon me kapadaillëk, me forma dhe mjete nga më të ndryshmet, në territorin shqiptar. Rasti më i fundit ishte inkursioni përkujtimor nga ekstremistët grekë në territorin shqiptar, në Këlcyrë, më 28 tetor 2012, pa kontaktuar sipas rregullave autoritetet shqiptare. A nuk është marshimi i disa “kokoroshëve” grekë shprehje e një krenarie që përdor mjete sfiduese për qëllime sfiduese ndaj krenarisë së një kombi fqinj?

Shprehje e kuptimit se: shteti “im” është më i mirë se shteti “yt”?  Dhe kur ky kuptim metafizik mbi shtetin tjetër fqinj trajtohet në ekstrem, ai përcakton edhe bazat e mohimit të ekzistencës së humanizmit në shtetin fqinj. Përballë këtij realiteti, fatkeqësisht, Shqipëria është sjellë e sillet si një e ngratë në marrëdhëniet me fqinjin grek, dhe kjo është brengosëse. Gjithsesi, nuk mendojmë aspak se çdo shtet, grup njerëzish, apo individ është i imunizuar nga manifestimet, nga llojet e ndryshme të paragjykimeve sfiduese, dhe nga të tjera ide dhe praktika që shoqërojnë aspektet më të këqija të nacionalizmit. Jo. Sepse ne jemi të gjithë qenie njerëzore dhe rrjedhimisht kemi edhe pafuqi në karakteret tona. Për pasojë disa dukuri negative të sjelljes, brenda apo jashtë grupit, brenda apo jashtë shtetit, janë ndoshta të pamundura për t’u eliminuar nga njerëzimi. Nuk jemi të sigurt se dikush mund ta bëjë këtë pa ndryshuar substraktin e vet. Në analizë të fundit besojmë se: vendet tona mund t’i shmangim problemet e qenësishme të nacionalizmit të përditshëm, të rëndomtë. Pse mund t’i shmangin? Sepse të dyja palët i njohin problemet. “… Pranimi i ekzistencës së problemeve është një sukses për palët në konflikt… është momenti për punë të dobishme”, thotë Alan Collins, studiues i sigurisë ndërkombëtare.

Po cili është mjeti më i mirë që e bën një punë të dobishme? Bashkëpunimi i sinqertë. Pra lipset që palët të tregohen të sinqerta përkundrejt kuptimit, përmbajtjes, mjeteve, qëllimeve, mënyrave se si këto apo ato probleme nacionaliste manifestohen në vendet tona, komunitetet tona, dhe në jetën tonë vetjake. Dhe një pjesë e rëndësishme e këtij volumi pune, të madhe, është kapitulli i paragjykimeve sfiduese të ndërsjella. Këtu duhet mëshuar fillimisht. Sepse, fshehja e kuptimeve të paragjykimeve sfiduese në të gjitha format e shfaqjes së tyre, brenda apo jashtë grupit, brenda apo jashtë qeverisë, brenda apo jashtë partive politike etj., mund të çojë në sjellje të këqija të dy qeverive, të popujve dhe kombeve tona. Paragjykimi sfidues fillon dhe vazhdon duke treguar me gisht tjetrin. Këto radhë nuk kanë këtë qëllim. Aspak. Përkundrazi, mund të ofrojmë si alternativë – ndaj miqve grekë – qasjen e hapur se ne jemi të gjithë të lidhur në këtë fqinjësi, gadishull, kontinent, planet. Si? Po ja: si njerëz të lirë, si fqinj, si familje, si krushqi, si besimtarë, si bashkëluftëtarë, si tregtarë, si idealistë etj. Tjetër. Kriza ekonomike në Europë, Ballkan, Greqi, Shqipëri është e dhimbshme jo vetëm për ne, por për të gjithë botën. Ngrohja globale po e ndryshon kudo mjedisin tonë. Paqëndrueshmëria politike në zemrën e rezervave të naftës në botë, pa nënvleftësuar periferitë, po ndikon në mirëqenien e të gjitha kombeve etj. Ne jemi të gjithë këtu dhe së bashku. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin për të qenë të sigurt, për të mbijetuar. Ky është realiteti. Ne duhet ta pranojmë atë. Haptazi ta pranojnë atë, dhe të sillemi në përputhje me rrethanat. Miratimi i zellshëm i një qasjeje të tillë do të ishte i favorshëm si në nivel kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA