Berisha: Lehtësi taksash

04/11/2012 18:45

Kryeministri Sali Berisha ka cilësuar mbështetjen ndaj biznesit, si rrugën më të mirë të përballimit të krizës ekonomike.

Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të  Hidrocentralit të Lapajt, në rajonin e  Kukësit, kreu i qeverisë shqiptare tha se kriza europiane do të jetë afatgjatë, por qeveria shqiptare është e vendosur në inkurajimin dhe mbështetjen e investimeve, duke lehtësuar  barrën fiskale për veprat hidroenergjitike.

“Qeveria parashikoi këtu një prag prej 500 mijë eurosh. Ky prag do zbritet në nivele shumë më të ulta, në mënyrë që investitorët e çdo fushe, për makineritë që sjellin, të mos paguajnë asgjë, përveç transportit të tyre. Së dyti, për veprat hidroenergjetike, në mënyrë specifike, kemi vendosur heqjen e TVSH-së për të gjithë çimenton dhe hekurin, që përdoret në ndërtimin e tyre”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë tha se rezultuan të pavërtetuar në skepticizmin e tyre, të gjithë ata që nuk besuan në projektin “Shqipëria një superfuqi energjitike”, pasi njëra pas tjetrës po ndërtohen vepra për shfrytëzimin e ujërave që derdheshin në det, të pashfrytëzuara më parë.

Kreu i qeverisë tha se të gjitha këto vepra po bëhen realitet në këtë 100-vjetor të pavarësisë, teksa ka evokuar betejat me pushtuesit e banorëve të kësaj zone, kur e cilësoi si Vatërlonë shqiptare.

“Mënyra më e mirë, për të nderuar veprën dhe sakrificën e tyre, është të ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar. Sot, nderimi më i madh, që ne u bëjmë atyre, është Shqipëria anëtare e NATO-s. Sot, nderimi më i madh që ne i bëjmë sakrificës së tyre është Shqipëria e sigurt në rrugën e saj të integrimit europian. Shpreh nderimin tim më të madh para atyre burrave e grave të kësaj zone, të cilët 100 vjet më parë shndërruan në Vaterlo tokat e tyre, ndaj një fuqie që erdhi t’i shfaroste ata”, përfundoi Berisha.

Hidrocentrali i Lapajt ka një kapacitet të instaluar prej 13,62 MË, me një prodhim mesatar vjetor të energjisë, të vlerësuar prej 49.865 MËh. Investimi i përgjithshëm është rreth 15 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA