Partia Socialiste iu rikthye denoncimit të shpërdorimeve dhe abuzimeve në sektorin energjitikës, me fakte të reja që dëshmuan realizimin e ulët të investimeve nga ana e CEZ-it.
Duke folur nga selia rozë, deputeti Arben Ahmetaj përsëriti se “që nga viti 2005, çmimi i energjisë është rritur me 200%” dhe theksoi se “rritja ka si përgjegjës dhe shkatar të vetëm vetëm këtë qeveri”.
I përqendruar tek investimet, nëpërmjet disa dokumentash, Ahmetaj tregoi se në dy vitet e fundit, “realizimi i investimeve të parashikuara ka qenë shumë më i ulët nga ai që jo vetëm ishte parashikuar, por që CEZ-i e ka detyrim ligjor të përmbushë. Në raportin e vitit 2010 flitet vetëm për 20% realizime. Është detyra e qeverisë shqiptare që të mbrojë interesin e publikut dhe eshte e qarte qe kjo nuk ka ndodhur”, denoncoi Ahmetaj.
Sipas deputetit socialist, gjendja do të përkeqësohet edhe më tej, “pasi është premtuar rritja e mëtejshme e energjisë për të mbështetur CEZ-in, këtë piramidë të re ekonomike, që po fut në kolaps të gjithë ekonominë shqiptare”.
Duke përqendruar akuzën e tij tek kompania çeke, Ahmetaj vuri në dukje se “flitet për shumë investime që do të realizohen, por nuk ka asnjë fletë të vetme dhe asnjë referencë në faqen e kësaj kompanie, për investimet e shkuara”.
Gjatë të gjithë kësaj jave, socialisti Ahmetaj është marrë me denoncimin e gjendjes alarmuese në të cilën ndodhet energjitika shqiptare aktualisht.
Më parë, ai theksoi se humbjet kanë barazuar rekordine vitit 1964 si rrjedhojë e mosinvestimeve në rrjet, denoncoi kolapsin në privatizimin e OSST-së si dhe marrëdhëniet klienteliste, që sipas Partisë Socialiste janë vendosur midis qeverisë shqiptare dhe “CEZ Shpërndarjes”.
Top Channel