Në një konferencë për drejtësinë, të mbajtur paraditen e së premtes, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ka deklaruar se reformat në këtë sistem janë kryer me sukses.
Gjatë fjalës së tij, Halimi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me misionin Euralius, i cili sipas tij ka futur këto reforma në rrugën e duhur.
“Reformat në drejtësi janë kryer me sukses. Kemi arritur të përmirësojmë efiçencën në gjyqësor nëpërmjet marrjes së vendimeve shumë të rëndësishme, në bashkëpunim me misionin EURALIUS”, ka deklaruar Halimi.
Ministri i Drejtësisë ka njoftuar gjithashtu nisjen e proçesit për rishpërndarjen e gjyqtarëve nga gjykata me ngarkesë të vogël në gjykata me ngarkesë më të madhe.
“Sidomos, shpërndarja është drejtuar tek gjykatat e apelit, të cilat janë të mbingarkuara dhe çështjet zgjaten. Gjithashtu, shpërndarja bën funksionimin e gjykatave administrative në vend”, ka nënvizuar Halimi.
Një tjetër nismë e rëndësishme e prezantuar prej ministrit ka qenë reforma për modernizimin e administratës gjyqësore, sipas standarteve evropiane.
“Me misionin Euralius lançojmë sot reformën e modernizimit të administratës gjyqësore. Kjo reformë do të rrisë eficençën e gjyqësorit në Shqipëri”, ka thënë Halimi.
Më tej ministri i Drejtësisë ka ftuar Partinë Socialiste që të japë konsensusin e saj për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, që është dhe një kriter i kërkuar nga BE për marrjen e statusit të kandidatit.
Top Channel