Izraeli, sulm Iranit në pranverë?

31/10/2012 00:00

Izraeli ka shtyrë për në pranverë planin e tij të sulmit ajror kundër impianteve bërthamore iraniane.

Kështu njoftojnë mediat britanike. TheSun shkruan se pas një konsultimi me drejtuesit e shërbimeve sekrete britanike, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka rënë dakort të shtyjë planin e bombardimit që ishte parashikuar për këtë vjeshtë.

Britanikët, shkruajnë të njëjtat burime, i kërkuan Tel Avivit t’i japë kohë sanksioneve të reja të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Republikës Islamike, për të dhënë efektet e tyre.

Një tjetër faktor që ka shtyrë planin izraelit ka qenë edhe kërkesa e drejtuesve ushtarakë të cilët thonë se duhet një kohë e mirë me qiell të pastër për të fluturuar me avionë luftarakë drejt objektivave të përcaktuar.

Skenari i mundshëm i një sulmi izraelit ndaj Iranit mund të ndodhë në pranverën e vitit të ardhshëm. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu tha se brenda verës së ardhshme, Irani do të ketë pasuruar mjaftueshëm uraniumin sa për të ndërtuar një armë bërthamore.

Ai i vendosi një kufi këtij procesi gjatë fjalimit në OKB në muajin shtator. Kur Irani të jetë në fazën finale të programit të tij bërthamor, me mundësitë reale për të patur një bombë bërthamore, tha ai, atëherë ne do të ndërhyjmë duke e mos e lejuar një gjë të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB